Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka shpalosur një plan dhjetëvjeçar për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Sipas Haradinaj, Kosova synon anëtarësimin e plotë në NATO përmes një plani të ri që përfshinë tri aspekte kryesore: Politikë, ushtarak dhe ekonomik.
Postimi i plotë i Ramush Haradinajt:
Plani dhjetëvjeçar i dakorduar me Amerikën dhe NATO-n është themeli për veprimin e ardhshëm – anëtarësimin e drejtpërdrejtë. Partneriteti për Paqe tashmë është realizuar përmes këtij plani. Tani, Kosova synon anëtarësimin e plotë në NATO përmes një plani të ri që përfshin tri aspekte kryesore:
1. Politik:
– Forcimi i marrëdhënieve me institucionet euroatlantike;
– Përmbushja e obligimeve në dialog;
– Konsolidimi i demokracisë në Kosovë;
– Përmirësimi i marrëdhënieve me fqinjët.
2. Ushtarak:
– Ngritja e kapaciteteve luftarake të Ushtrisë së Kosovës;
– Zhvillimi i industrisë mbrojtëse vendore;
– Prodhimi i municioneve, predhave dhe pajisjeve të tjera ushtarake;
– Përmirësimi i infrastrukturës ushtarake dhe mbrojtëse civile;
– Rritja e kontributit të Kosovës në angazhimet e NATO-s.
3. Ekonomik:
– Aktivizimi i resurseve të Kosovës për partneritet ekonomik me vendet e Aleancës.
Anëtarësimi në NATO do të sjellë përfitime të shumta:
– Do të jetë kthesa më e madhe e sigurisë për Kosovën;
– Do të garantojë zhvillim ekonomik duke rritur vlerën e resurseve dhe potencialeve të vendit;
– Do të inkurajojë investitorët vendas dhe të huaj;
– Do ta shndërrojë Kosovën në një adresë të rëndësishme ekonomike.
Kjo kthesë e madhe ekonomike do të sigurojë:
– Qëndrimin e qytetarëve, veçanërisht të rinjve në Kosovë;
– Përmirësimin e sistemit shëndetësor, duke ofruar shërbime cilësore për të gjithë;
– Ngritjen e cilësisë së arsimit në nivelin e vendeve të NATO-s;
– Përshtatjen e arsimit me nevojat e tregut të punës.
Aleanca hyn në zgjedhje me vizionin e kësaj kthese të madhe në siguri dhe ekonomi. Ky vizion synon të sigurojë:
– Paga dhe pensione të dinjitetshme për qytetarët;
– Kushte më të mira jetese;
– Zhvillim të qëndrueshëm në të gjitha sferat.
Udhëheqja nacionale kërkon vizion të gjerë. Anëtarësimi në NATO është përgjigje për zhvillimin e përgjithshëm të vendit, duke përfshirë qëndrimin e popullatës, përmirësimin e arsimit dhe shëndetësisë, si dhe sigurimin e pagave të dinjitetshme.