Lajme

Haradinaj: Vizita e Konjufcës në Hagë, mesazh pozitiv për ish-krerët e UÇK-së

Anëtari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, e ka vlerësuar si mesazh pozitiv vizitën e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, në Hagë, ku pritet të marrë pjesë në seancën e radhës të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Duke folur në emisionin “Info Nata”, Haradinaj ka thënë se prania e Konjufcës përfaqëson shtetin e Kosovës në këtë proces.

Ai ka shtuar se përveç vizitave, institucionet duhet të kryejnë edhe “detyrat e shtëpisë” nga Kosova, duke theksuar se përgjegjësia është e përbashkët dhe nuk ka të bëjë me qëndrime partiake.

“Ky është një mesazh i mirë, sepse në fund të fundit ai është përfaqësues i shtetit. Në këtë moment atje është vetë shteti, sepse i përfaqëson të gjithë krerët e tij, gjë që ka munguar me vite të tëra. Do të ishte dashur që vizitat të ishin të rregullta. Konjufca ka qenë edhe më herët dhe e kemi pranuar, por nuk mjafton vetëm një vajtje-ardhje”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka komentuar edhe deklaratën e Konjufcës nga Haga lidhur me procesin ndaj katërshes së UÇK-së, ku ai kishte thënë se nuk mund të quhet UÇK-ja “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

“Glauk Konjufcës këtu i foli shpirti, sepse është djali i një bashkëvuajtësi tim, një të burgosuri politik. Nëse flasim të gjithë shqiptarët nga shpirti, atëherë jemi bashkë dhe na bashkojnë shumë gjëra. Kur flasim për shtetin duhet të flasim me shpirt, sepse kur flasim me shpirt e duam shtetin”, është shprehur Haradinaj.

Të Ngjashme