Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka bërë thirrje që partitë politike të angazhohen në mënyrë konstruktive pas zgjedhjeve, me qëllim formimin e institucioneve të reja dhe zgjedhjen në kohë të presidentit të vendit.
Komentet e tij erdhën pas një takimi me kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ku u diskutua për zhvillimet politike dhe procesin zgjedhor në Kosovë.
Në një postim në Facebook, Hargreaves theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet partive politike pas procesit zgjedhor.
“Kosova shkon drejt zgjedhjeve, do të jetë e rëndësishme që partitë politike të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe më pas të punojnë së bashku për formimin e qeverisë stabile dhe sigurimin e zgjedhjes në kohë të Presidentit. Progresi demokratik i Kosovës varet nga bashkëpunimi, dialogu dhe angazhimi i përbashkët për të ardhmen e vendit”, ka shkruar ambasadori në Facebook.
Ai gjithashtu vlerësoi kontributin e Haradinajt në jetën politike dhe institucionale të Kosovës ndër vite.
“Diskutim i mirë dje me liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj, në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit… Ramush Haradinaj ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën politike të Kosovës ndër vite, duke kontribuar në zhvillimin demokratik dhe forcimin e institucioneve të vendit”, tha ai./teve1.info/
