Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka zhvilluar sot takim me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jasharin, si dhe me ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin.
Pas takimit, Hargreaves ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Ambasadori britanik ka thënë se siguria evropiane është në qendër të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Siguria evropiane është në zemër të miqësisë së thellë Britani e Madhe – Kosovë. Ne riafirmuam angazhimin tonë për të mbështetur zhvillimin e vazhdueshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përafrimin e saj me standardet dhe strukturat e NATO-s, dhe forcimin e bashkëpunimit me Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar. Bashkëpunimi ynë po ndihmon në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt për Kosovën dhe rajonin e gjerë”, ka shkruar Hargreaves.
Ai ka vlerësuar se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar po kontribuon në forcimin e kapaciteteve të FSK-së dhe në rritjen e sigurisë në rajon.
