Lajme

Hargreaves takon Radoniqin, konfirmon se mbështetja kibernetike për KQZ-në do të vazhdojë

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka zhvilluar një takim me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ku është diskutuar për përgatitjet lidhur me zgjedhjet e ardhshme të 7 qershorit.

Pas takimit, ambasadori britanik theksoi bashkëpunimin ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe KQZ-së, veçanërisht në aspektin e sigurisë kibernetike dhe funksionimit të sistemit të numërimit të votave.

“Mbretëria e Bashkuar dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë zhvilluar një marrëdhënie të ngushtë në bashkëpunimin tonë të suksesshëm kibernetik për të siguruar funksionimin efektiv të softuerit për numërimin dhe publikimin e votave në zgjedhjet e fundit komunale dhe kombëtare”.

“Jam i kënaqur që po vazhdojmë mbështetjen tonë për zgjedhjet e ardhshme kombëtare më 7 qershor”, tha ai.

Hargreaves vlerësoi edhe rolin e KQZ-së në ruajtjen e integritetit dhe transparencës së proceseve zgjedhore në vend.

“Gjatë takimit me kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ishte pozitive të dëgjohej se si KQZ-ja po i përmirëson dhe po i forcon edhe më tej procedurat e saj”./teve1.info/

Të Ngjashme