Pesë vende janë zotuar të dërgojnë trupa në Gaza në kuadrin e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese të propozuar në takimin e parë të Bordit të Paqes në Washington DC, nismë kjo e presidentit amerikan Donald Trump.
Vendet që u angazhuan të nisin trupa në terren janë Indonezia, Maroku, Kazakistani, Shqipëria dhe Kosova. Egjipti dhe Jordania do ta mbështesin misionin përmes trajnimit të oficerëve palestinezë të policisë. Forca do të drejtohet nga gjenerali amerikan Jasper Jeffers. Ai u caktua koamandant i misionit stabilizues në Gaza, që e ka marre tashme bekimin e Bordit të Trumpit. Pozicioni i zëvendëskomandantit iu besua Indonezisë, cka u konfirmua edhe nga gjenerali Jeffers.
Presidenti indonezian Prabowo Subianto deklaroi se vendi i tij është i gatshëm të dislokojë deri në 8.000 persona. “Ne duam ta bëjmë paqen të funksionojë”, ishte komenti i tij. E ndërsa nuk ka ende një konfirmim zyrtar mbi mënyrën sesi do të bëhet shpërndarja e trupave, në rrjetet sociale ka nisur të qarkullojë një hartë e cila tregon se forcat nga Shqipëria mund të vendosen në zonën e Deir al-Balah, ndërsa ato të Kosovës në veriun e Rripit të Gazës.
Besohet se fillimisht, forca stabilizuese mund të ketë deri në 20 mijë anëtarë. Donald Trump ka shprehur vazhdimisht optimizëm për nismën. Perpara takimit ne Washington, ai pati pohuar për gazetarët në Air Force One se “udhëheqësit më të mëdhenj në botë” po i bashkoheshin Bordit të Paqes, të cilin fillimisht e paraqiti si një organ për të mbikëqyrur përpjekjet e paqes në Gaza, përpara se ta zgjeronte në mënyrë drastike fushëveprimin e tij në një organ në stilin e OKB-së, që synon të zgjidhë konfliktet e mëdha botërore.
