Ish-senatori dhe prokurori zviceran Dick Marty ka ndërruar jetë këtë të enjte në moshën 78-vjeçare, lajmin e ka konfirmuar partia e tij.
Marty u bë i njohur ndërkombëtarisht si anëtar i Këshillit të Evropës dhe i Komisionit të OSBE-së për të Drejtat e Njeriut.
Ndërsa për Shqipërinë dhe Kosovën Dick Marty u bë i njohur në 2011 kur ai hartoi raportin kundër UÇK si hetues special për Këshillin e Evropës.
Në raportin e tij, Marty pretendonte për trafikim organesh njerëzore nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mbi këtë raport u themelua Gjykata Speciale në Hagë nga Kuvendi i Kosovës disa vjet më vonë ku dhe po gjykohen ish-eprorët e UÇK-së për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Në gusht të këtij viti Kuvendi i Shqipërisë miratoi një rezolute të propozuar nga shumica, që i konsideron të pabaza pretendimet e ngritura në vitin 2011.
Dick Marty ka lindur në kantonin jugor italishtfolës të Ticinos, ku shërbeu si zëvendësprokuror publik, më pas prokuror publik nga viti 1975-1989. Ai ishte anëtar i qeverisë kantonale të Ticinos nga viti 1989 deri në 1995.
I zgjedhur në Senatin Zviceran në vitin 1995, ai ishte anëtar i Partisë Radikale të qendrës së djathtë. Ai dha dorëheqjen në vitin 2011. Ndër nismat e tij ishin instalimi i një prokurori federal të pavarur dhe dekriminalizimi i abortit.
Ai u zgjodh në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës në vitin 1999 dhe kryesoi Komisionin për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut nga viti 2005 deri në 2008. Ai doli në pension në vitin 2011.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo