Lajme

​Haxhiu e Kurti vlerësojnë Deklaratën e 2 Korrikut 1990: Akt i rëndësishëm drejt shtetësisë së Kosovës

Krerët institucionalë në detyrë kanë vlerësuar rëndësinë historike të delegatëve të 2 Korrikut 1990, duke e cilësuar Deklaratën Kushtetuese si një nga aktet më të rëndësishme në rrugëtimin e Kosovës drejt shtetësisë, raporton KosovaPress.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se Kosova e asaj kohe kishte shumë pak hapësirë veprimi, por nuk pranoi të trajtohej si krahinë e Serbisë.

Sipas saj, përmes Deklaratës së 2 Korrikut, Kosova u përpoq të fliste në emër të vet dhe të kërkonte liri, e jo privilegje politike.

“Deklarata përcaktoi aktin si vetëvendosje politike. E vendosi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të konfederatës së Jugosllavisë dhe konfirmoi atë si bashkësi politike kushtetuese të qytetarëve dhe komuniteteve të barabarta. Ajo refuzoi amendamentet e Serbisë të vitit 1989 dhe vendosi që Kuvendi dhe bashkësia politike të emërtoheshin publikisht vetëm si Kosovë…Kosova nuk pranoi që të trajtohej si krahinë e nënshtruar, por kërkoi që të njihej si njësi e pavarur dhe barabartë”, tha ajo.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilësoi Deklaratën e 2 Korrikut 1990 si shpallje normuese dhe juridike të Republikës së Kosovës. Ai tha se ky akt, i miratuar në Prishtinë dhe i pasuar nga zhvillimet e mëvonshme kushtetuese e politike, shënoi fillimin e republikës së rezistencës dhe hodhi themelet e shtetësisë së Kosovës.

“Pa Republikën e parë të Kosovës, atë të 1990 dhe dekadës pasuese nuk do të bënim dotë as Republikën e Kosovës si shtet i pavarur të vitit 2008, shtëpinë shtetërore të sotme. Ne i takojmë një brezi të politikanëve që është tejet i ndërgjegjshëm dhe vetëdijshëm se asgjë s’ka filluar me neve dhe asgjë nuk përfundon me neve. Gjithkush ka qenë përpara që e ka trasuar rrugën dhe ka punuar, angazhuar dhe sakrifikuar që ne të vazhdojmë”, tha ai.

E kryetari i delegatëve që votuan Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990, Ilaz Ramajli, tha se kur e sheh Kosovën e pavarur bindet se deklarata nuk ishte vetëm akt juridik.

“Këtij rrugëtimi iu bashkua rezistenca gjithëpopullore, sakrifica e UÇK-së dhe mbështetja vendimtare të miqve tanë ndërkombëtarë, në veçanti SHBA-ja. Të gjitha këto përbëjnë hallka të pandalshme të historisë sonë të lirisë. Sot kur i kujtojmë ato ngjarje ndiejmë krenari, por edhe përgjegjësi për brezat e rinj që të njohin këtë histori. Jo për të mbetur peng i së kaluarës, por për të ndërtuar të ardhmen për vlerat që na bashkuan atëherë, lirinë, demokracinë, unitetin dhe përgjegjësinë ndaj shtetit”, shtoi ai.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 u miratua nga deputetët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës para ndërtesës së Kuvendit në Prishtinë, pasi autoritetet serbe ua kishin pamundësuar hyrjen.

Me këtë akt, Kosova u shpall njësi e barabartë në kuadër të federatës jugosllave, duke kundërshtuar heqjen e autonomisë nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Deklarata konsiderohet një nga aktet themeluese të shtetësisë së Kosovës dhe i hapi rrugën miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut më 7 shtator 1990.

Të Ngjashme