Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Kuvendi ka folur me një zë lidhur me deklaratën për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit
Haxhiu tha se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe se kjo e vërtetë nuk zhbëhet me asnjë aktgjykim. Ajo kërkoi një strategji të përbashkët juridike dhe diplomatike të institucioneve, duke theksuar se rruga drejt drejtësisë vazhdon përmes procesit të apelit.
Postimi i plotë:
Sot, Kuvendi i Kosovës foli me një zë lidhur me Deklaratën për Aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Lufta e popullit tonë për liri dhe pavarësi, përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte një luftë e drejtë. Ajo lindi si përgjigje ndaj represionit dhe krimeve të rënda të Serbisë, në një kohë kur populli ynë vritej, dëbohej dhe përndiqej nga shtëpitë e veta. Kjo e vërtetë nuk zhbëhet me asnjë aktgjykim.
Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të veprojnë të bashkuara, përmes një strategjie të përbashkët juridike dhe diplomatike, për të mbrojtur të vërtetën dhe për të paraqitur drejtësisht para botës luftën e popullit tonë për liri.
Rruga drejt drejtësisë vazhdon përmes procesit të apelit. Ne do të qëndrojmë bashkë në këtë betejë, deri në lirimin e plotë të ish-krerëve të UÇK-së.
