Ish-deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka komentuar deklaratën kontroverse të bërë nga deputeti i LVV-së, Fatos Geci, në emisionin “Ditaru” në Tëvë1. Haxhiu ka shprehur shqetësimin për atë që e ka quajtur një deklaratë skandaloze të Gecit, duke e quajtur atë një përpjekje për të shpifur luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Ajo që dua të them është se çlirimtarët nga çdo betejë kthehen fitimtarë, dhe e kuptoj që të gjithë ne, edhe ata që mendojnë shqip edhe ata që janë me UÇK-në, dita kur do të kthehen çlirimtarët tanë fitimtarë po afron. Dhe sigurisht që kjo i shqetëson të gjithë ata që e mendojnë sikur Serbia për UÇK-në. Mirëpo ne u themi gjithëve se narrativi i Serbisë për të kriminalizuar luftën e UÇK-së do të dështojë, dhe të gjithë ne presim një verdikt final të pafajësisë dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të Kosovës.” – tha Haxhiu.
Për Haxhiun, deklarata e deputetit të LVV-së është një përpjekje për të sulmuar dhe për të diskredituar luftën çlirimtare të Kosovës, duke e krahasuar atë me narrativin që përpiqet të përhapë Serbia. Haxhiu ka theksuar se është e papranueshme që një deputet i Kuvendit të Kosovës të bëjë një deklaratë të tillë.
“Nuk është e bazuar që gjërat të tilla burojnë nga grupi parlamentar të VV-së, sepse ky grup ka kohë që është kapluar nga budallallëku dhe idiotësia, edhe narrativi i Serbisë.” – shtoi Haxhiu.
Ai gjithashtu ka shprehur shqetësim për reagimet e vonuara nga LVV-ja lidhur me këtë çështje.
“Nuk ishte një reagim i menjëhershëm. Vërejtja ishte për ata që doli jashtë temës, edhe jo për qasjen më vonë të reagimeve të partisë PDK-së. Filluan reagimet sigurisht, por është absurde që brenda atij grupi parlamentar të qëndrojë një deputet që ka bashkëshortin dhe bashkëluftëtarin e tjetrit, dhe një deputet që ka thënë që ish-krerët e UÇK-së të dënohen me burgim të përjetshëm.” – tha Haxhiu.
Në vijim, Haxhiu ka theksuar se një deputet që përkrah propagandën e Serbisë dhe propozon dënimin e krerëve të UÇK-së nuk mund të konsiderohet përfaqësues i popullit shqiptar.
“Një deputet shqiptar që mendon dhe proklamon propagandën e Serbisë, duke kërkuar që krerët e UÇK-së të dënohen, ai nuk është përfaqësues i popullit. Ky është një narrativë anti-shtetëror dhe mendoj se ka hapësira për të iniciuar marrjen e mandatit.” – ka theksuar Haxhiu.
Reagimi i Haxhiut vjen pas një deklarate të Fatos Gecit, i cili, në një intervistë të tij, sugjeroi se liderët e UÇK-së, të cilët po mbahen në Hagë, mund të dënohen me burgim të përjetshëm për krime lufte. Haxhiu e ka quajtur këtë një tentativë për të keqpërdorur rolin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe për të dëmtuar luftën çlirimtare të Kosovës.
