Lajme

Haxhiu nderon viktimat e Polacit dhe dëshmorët e Drenicës

Në përvjetorin e masakrës së Polacit, Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe për 78 civilët e pafajshëm dhe 8 dëshmorët që humbën jetën në këtë ngjarje tragjike të historisë së afërt të Kosovës.

Në një postim në rrjetet sociale, Haxhiu theksoi se plagët e kësaj masakre mbeten ende të hapura, duke u kujtuar për të pagjeturit dhe dhimbjen e familjeve të tyre. 

Në të njëjtin kontekst, ajo kujtoi edhe betejën heroike në Abri të Epërme, Drenicë, ku ranë dëshmorët Xhevat Demaku, Bedri Demaku dhe Imer Shala, duke u bërë simbol i sakrificës dhe qëndresës për lirinë e vendit.

Postim i plotë:

Në përvjetorin e masakrës së Polacit, përulemi me nderim të thellë para kujtimit të 78 civilëve të pafajshëm dhe 8 dëshmorëve që ranë në një nga ngjarjet më të dhimbshme të historisë sonë të afërt.

Kjo plagë mbetet ende e hapur, pasi edhe sot ka të pagjetur, duke mbajtur gjallë dhimbjen dhe ankthin e familjeve të tyre. Kujtesa për ta nuk zbehet, ajo na obligon të mos harrojmë kurrë dhe të kërkojmë pa u ndalur drejtësi për krimet e kryera.

Me të njëjtin respekt, kujtojmë edhe betejën në Abri të Epërme në Drenicë, ku ranë heroikisht dëshmorët Xhevat Demaku, Bedri Demaku dhe Imer Shala, duke u bërë simbol i sakrificës dhe i qëndresës për lirinë e vendit.

Kujtesa nuk është vetëm nderim por edhe përgjegjësi. Është zotim se e vërteta nuk do të zbehet dhe se drejtësia do të mbetet kërkesë e përhershme.

Lavdi e përjetshme martirëve dhe dëshmorëve të kombit!

 

Të Ngjashme