Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se në Mitrovicë janë kujtuar dhe nderuar Adem Beqiri, Idriz Rrecaj dhe Salih Mëziu, tre nga viktimat e grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”.
Në një ceremoni të mbajtur në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, Haxhiu tha se pas 27 vjetësh kërkimi, familjet e tyre më në fund kanë marrë përgjigje për fatin e të dashurve të tyre.
Sipas saj, më 19 prill 1999, forcat serbe rrëmbyen 23 civilë shqiptarë nga Skenderaj dhe Mitrovica.
Postim i plotë:
Sot, në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë, kujtuam dhe nderuam Adem Beqirin, Idriz Rrecajn dhe Salih Mëziun. Pas 27 vjetësh kërkimi, familjet e tyre më në fund morën përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre, të cilët tashmë do të prehen në paqe.
Më 19 prill 1999, forcat serbe rrëmbyen 23 civilë shqiptarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të njohur si “Grupi i Intelektualëve”. Ata u ndaluan në Melajë, në Kalludër të Vogël, u keqtrajtuan, u ekzekutuan dhe trupat e tyre u fshehën për të zhdukur gjurmët e krimit.
Gërmimet në Kalludër dhe Jabukë, bashkë me analizat e ADN-së, konfirmuan identitetin e Idriz Rrecajt, Adem Beqirit dhe Salih Mëziut. U gjetën në varre pa emër, por tani do të prehen me emrat e tyre dhe familjet do të kenë një vend ku t’i kujtojnë e t’i nderojnë.
Mirënjohje të gjithë atyre që punuan me përkushtim për gjetjen dhe identifikimin e tyre. Kërkimi duhet të vazhdojë për 20 anëtarët e tjerë të grupit dhe për çdo person të zhdukur me dhunë. Familjet meritojnë të vërtetën, ndërsa për krimet e luftës duhet të ketë drejtësi.
Familjeve Beqiri, Rrecaj dhe Mëziu ua shpreha ngushëllimet e mia më të sinqerta.
I përjetshëm qoftë kujtimi i Adem Beqirit, Idriz Rrecajt dhe Salih Mëziut, si dhe i të gjithë të rënëve dhe të vrarëve për lirinë e Kosovës!
