Lajme

Haxhiu: Për Presidentin na duhet një marrëveshje më e gjerë

U.d. e Presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas takimit me drejtuesit e partive politike që iu përgjigjën ftesës së saj për konsultime lidhur me zgjedhjen e Presidentit.

Haxhiu tha se për zgjedhjen e Presidentit nevojitet një marrëveshje më e gjerë dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të kontribuojnë për një President konsensual

Ajo theksoi se vendit nuk i duhen zgjedhje të reja, ndërsa kritikoi bojkotin e takimeve, duke thënë se mospajtimi është legjitim, por shmangia e dialogut nuk çon drejt zgjidhjes.

“Përgjegjësia për zgjidhjen është e përbashkët”, tha Haxhiu, duke kërkuar përgjegjësi, dialog dhe marrëveshje në interes të vendit.

Shkrimi i Haxhiut:

Sot takova drejtuesit e subjekteve politike që iu përgjigjën ftesës sime për konsultime. I falënderoj për pjesëmarrjen dhe për gatishmërinë për të kërkuar së bashku një zgjidhje për situatën politike.

Qëndrimet janë të njohura dhe dallimet politike ekzistojnë. Por pikërisht kur dallimet janë të mëdha, dialogu bëhet domosdoshmëri.

Për Presidentin na duhet një marrëveshje më e gjerë se ajo që kërkohet për formimin e institucioneve të tjera. Këtë e dimë të gjithë dhe nuk kemi as arsye, as kohë, ta shtyjmë për ditën e fundit atë për të cilën, në fund, gjithsesi duhet të ulemi dhe të merremi vesh.

Në takim u ritheksua qartë se vendit nuk i duhen zgjedhje të reja dhe se të gjitha palët kanë përgjegjësi të kontribuojnë në një marrëveshje për një President konsensual. Kjo përgjegjësi nuk mund të delegohet dhe as të shmanget.

Refuzimi apo bojkoti i takimeve nuk është rrugë drejt marrëveshjes. Mospajtimi është legjitim, por shmangia e dialogut nuk zgjidh asgjë. Nëse dikush beson se ka një rrugë tjetër, atëherë duhet ta shpjegojë qartë se ku të çon ajo rrugë dhe çfarë zgjidhjeje ofron për vendin.

Nuk mund të presim të pajtohemi para se të ulemi të flasim. Po të ishte kështu, dialogu nuk do të kishte asnjë kuptim.

Përgjegjësia për zgjidhjen është e përbashkët prandaj duhet përgjegjësi, dialog dhe një marrëveshje që i shërben interesit të përbashkët.

Të Ngjashme