Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka reaguar pas takimit konsultativ me drejtuesit e subjekteve politike që iu përgjigjën ftesës së saj.
Haxhiu ka thënë se pavarësisht dallimeve politike, dialogu është i domosdoshëm për të gjetur një zgjidhje për situatën aktuale politike.
Ajo theksoi se për zgjedhjen e presidentit nevojitet një marrëveshje më e gjerë politike dhe se kjo çështje nuk duhet të shtyhet deri në momentin e fundit.
“Në takim u ritheksua qartë se vendit nuk i duhen zgjedhje të reja dhe se të gjitha palët kanë përgjegjësi të kontribuojnë në një marrëveshje për një President konsensual”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Sipas saj, kjo përgjegjësi është e përbashkët dhe nuk mund të shmanget apo t’u delegohet të tjerëve.
Haxhiu ka kritikuar edhe refuzimin dhe bojkotimin e takimeve politike, duke thënë se një qasje e tillë nuk çon drejt një marrëveshjeje.
“Refuzimi apo bojkoti i takimeve nuk është rrugë drejt marrëveshjes. Mospajtimi është legjitim, por shmangia e dialogut nuk zgjidh asgjë”, është shprehur ajo.
Ndryshe, Haxhiu ka bërë thirrje për më shumë përgjegjësi dhe dialog ndërmjet partive, duke theksuar se nuk është e nevojshme që palët të pajtohen paraprakisht për t’u ulur në tryezë.
“Përgjegjësia për zgjidhjen është e përbashkët prandaj duhet përgjegjësi, dialog dhe një marrëveshje që i shërben interesit të përbashkët”, ka përfunduar Haxhiu./teve1.info/
