
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bashkë me shefen e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila po bashkëbisedojnë me nxënësit shkollës “Ahmet Gashi” për dhunën me bazë gjinore.
Haxhiu tha se sot në të gjitha shkollat në orën e parë të mësimit do të diskutohet për dhunën në familje.
“Unë mendoj që është jashtëzakonisht e rëndësishme, si edukimi në familje ashtu edhe edukimi në shkolla…. Ministria e Drejtësisë e ka për përgjegjësi që të adresojë politikat për eliminimin e dhunës në familje. Deri më tani kemi ndërmarrë shume veprime që kanë për qëllim që të rehabilitojnë personat qa kryejnë dhunën në familje”, tha ajo.
Kusari Lila tha se mekanizmat për të parandaluar dhunën janë të shumtë. Ajo kërkoi nga nxënësit që të bëhen “aleatë për parandalimin e dhunës”.
Nën organizimin e Ministrisë së Drejtësisë ka nisur fushata globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.