Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, mblodhi për takim të gjithë përfaqësuesit e partive politike parlamentare.
Temë e diskutimit ishte seanca konstituive e Kuvendit, që do të mbahet më 6 gusht.
Në rend dite, Haxhiu tregoi se do të jenë disa pika.
“Formimin e komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve, betimin e deputetëve, zgjedhjen e nënkryetarëve dhe zgjedhjen e kryetarit apo kryetares së Kuvendit. Duke pasur parasysh vullnetin e shprehur të partive politike që përfaqësojnë, administrata ka filluar përgatitjet për regjistrimin e deputetëve. Më 3 gusht do të regjistrohen deputetët e VV-së, më 4 gusht deputetët e PDK-së dhe LDK-së, ndërsa më 5 gusht Aleanca dhe komunitetet jo shumicë. Përgatitjet kanë përfunduar dhe uroj që më 6 gusht Kosova të konstituojë Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Haxhiu.
Pika kryesore, mbetet zgjedhja e kryetarit ose kryetares së Kuvendit.
Haxhiu thotë se si Vetëvendosje ende nuk janë përcaktuar se kë do ta kenë si propozim.
Megjithatë, çfarëdo që ndodh, ajo theksoi se Kosova nuk mund të mbetet pa President.
“Vendi asnjëherë nuk mund të mbetet pa President, pavarësisht interpretimeve të ndryshme. Nuk ka vend në botë që mbetet pa president duke pasur parasysh edhe Kushtetutën e Kosovës. Inkurajoj ata që japin interpretime për këtë çështje. Republika e Kosovës asnjëherë nuk mund të mbetet pa ushtrues detyre të presidentit. Gjykata Kushtetuese është autoriteti i fundit dhe nëse kemi situata të tilla, presim interpretimin e saj”, shtoi ajo.
Vetëvendosjen në këtë takim, e përfaqësoi shefja e grupit parlamentar, Arbërie Nagavci. Ajo konfirmoi se pas zhvillimeve të djeshme, do të rinisin bisedimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Për këto bisedime, në LDK tash ka gatishmëri të konfirmuar edhe nga Kuvendi i Jashtëzakonshëm.
“Jemi dakorduam që të procedojmë në bazë të rregullores së punës edhe në bazë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Insistojmë që seanca konstituive duhet të ndodhë me datën 6 dhe të përmbyllet procesi i konstituimit të Kuvendit, me qëllim që Kosova të ketë institucione funksionale dhe të, ta kthejmë funksionalitetin institucional të shtetit tonë. Dhe me qëllim që të mos bëhet asnjë vonesë, ne synojmë që Kuvendi të ketë, të konstituohet në datën e caktimit të, dhe thirrjes së seancës”, deklaroi Jehona Lushaku nga LDK.
Pas takimit, u deklaruan edhe nga Partia Demokratike e Kosovës.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ripërsëriti qëndrimin se si PDK do të vazhdojnë qëndrimin në opozitë.
“PDK ka një pozicion të qartë politik, ne do të jemi në opozitë. Mirëpo, jemi të interesuar që sa më parë institucionet e Kosovës të konstituohen, në mënyrë që të adresohen kërkesat e qytetarëve të Kosovës”, theksoi Çitaku.
Ndryshim të paqëndruar, ka edhe Aleanca, e cila insiston në zbatimin e kushteve të saj.
“E para është shqetësimi i thellë dhe kërkesa që konstituimi të ndodhë menjëherë. Vendi i Kosovës nuk duhet të bëjë lojëra dhe ta shtyjë konstituimin më larg se 7 gushti. Çdo tendencë për interpretim që lidhet me një afat shtesë vetëm e dëmton Kosovën dhe e konfirmon qëndrimin tonë se ky proces i zgjatjes mund të ketë qëllime zgjedhore”, vlerësoi Besnik Tahiri nga Aleanca.
Në takimin e sotëm munguan vetëm përfaqësuesit e Listës Serbe.
