Dy viktimat e masakrës së djeshme në Dobraç të Shkodrës Hamza Lici dhe Arlind Bushati, sipas burimeve policore, nuk kanë qenë të vetmit në automjetin tip “Benz” me targa kroate në momentit e sulmit nga një mjet në lëvizje “Range Rover”.
Hetuesit kanë shtrirë dyshimet se një person i tretë ka qenë bashkë me dy viktimat, por që në momentin sulmit është larguar nga vendngjarja.
Kjo e dhënë e mbërritur në zyrat qendrorë të Policisë Shkodër ka kaluar në verifikim për të mësuar mbi identitetin e personazhit në fjalë.
Nga një video amatore që gazetari i “Ora Neës” Edison Vatnikaj ka parë duket qartë që 4 trupat e personave që u dëmtuan dje në këtë atentat dy prej të cilëve të pajetë në atë moment, ndodhen në rrugë, e ndërsa makina “Benz” shumë larg tyre.
Kjo e dhënë sipas policisë shpjegohet me faktin se dikush mund t’i ketë ndihmuar duke i nxjerrë nga makina me targa kroate.
Pistë kryesore për policinë mbetet hakmarrja dhe përplasja mes anëtarëve të familjes Lici me eksponentë të tjerë në Shkodër.
Pavarësisht kësaj, shoqërimet që janë bërë në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër nuk kanë qenë efektive për të mbledhur të dhëna të vlefshme për ngjarjen e rëndë që tronditi dje mbarë opinionin publik.
Antarët e familjes Bajri dhe personat e shoqëruar gjatë mbrëmjes së djeshme të njohur për lidhjet shoqërore të tyre janë liruar sapo ato kanë dhënë deponimet e tyre në polici.
Kujtojmë se të vdekur pasditen e djeshme në Shkodër mbetën Hamza Lici, Arlind Bushati dhe Flutura Basha, ndërsa po lufton për jetën bashkëshorti i saj Bashkim Basha.
Bilanci i atentatit në Shkodër
Të vrarë
Hamza Lici – Vëllai i Ibrahim Licit – 23 vjeç
Flutura Basha – qytetare, po levizte me motor me burrin – 66 vjeçe
Arlind Bushati – Djali i Xhemal Bushatit – 32 vjeç – Vdiq pas disa orësh në spital
I plagosur rëndë
Bashkim Basha – bashkëshorti i Fluturës – 67 vjeç
Në VIDEO, “Range Rover”-i me 2 automatikë brenda që dyshohet se u përdor dje në mas*akrën e Shkodrës
SI NDODHI NGJARJA?
Një makinë në lëvizje me autorë ende të paidentifikuar qëlloi në armë zjarri drejt Hamza Licit dhe Arlind Bushatit.
Lici ndërroi jetë, ndërsa Arlind Bushati luftoi për jetën në spital për disa orë pasi mori një plumb në kokë.
Lici dhe Bushati po udhëtonin nga Shkodra drejt Koplikut me makinën tip Benz me targa kroate, në momentin që u qëlluan.
Viktima Hamza Lici është vëllai i Ibraim Licit, i kërkuar për vrasje.
Përpara disa ditësh Arlind Bushati denoncoi në polici një atentat të dështuar ndaj tij në qendër të qytetit të Shkodrës.
Ai po qëndronte jashtë një lokali kur dy të rinj iu afruan me motor dhe i drejtuan armën, por dyshohet se arma u është bllokuar.
Në këtë masakër me tre viktima, e vdekur mbeti edhe një kalimtare e cila po udhëtonte më motor së bashku me bashkëshortin.
Bashkim Basha dhe Flutura Basha kanë qenë duke udhëtuar me motor kur mjeti tip Benz me të cilin po udhëtonte Lici dhe Bushati ka humbur kontrollin dhe i ka përplasur.
Për shkak të plagëve të rënda Flutura Basha ka ndërruar jetë, ndërsa Bashkim Basha vazhdon të jetë në gjendje të rëndë, aktualisht i vetmi i plagosur nga ngjarja.
Një makinë tip Land Rover model i ri e djegur është gjetur në fshatin Grudë e re të Shkodrës 10 minuta pas ngjarjes. Brenda saj janë gjetur 2 automatikë, të cilët dyshohet se janë përdorur në atentat.
Nga ana tjetër në makinën me të cilën po udhëtonin viktimat Hamza Lici dhe Arlind Bushati u gjetën tre pistoleta.
Dyshimet e para nga atentati janë përplasjet mes dy grupeve në Shkodër, Bajrat dhe Licët.
Deri më tani disa persona janë shoqëruar në komisariat, ndërsa ende nuk ka një autor.
Sipas policisë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, identifikimin dhe kapjen e autorëve.