jykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy të pandehurve, B. A. dhe S. H., të dyshuar për përfshirje në trafikimin e narkotikëve.
Vendimi është marrë pas aprovimit të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, e cila dy të pandehurit i ngarkon me dy vepra penale që lidhen me narkotikët.
Sipas Prokurorisë, nga shtatori i vitit 2026 deri më 16 tetor, të dyshuarit dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim në Gjilan dhe në lokacione të tjera, me aktivitet që, sipas organit të akuzës, shtrihej në territorin e Kosovës, Shqipërisë dhe Serbisë.
Prokuroria pretendon se, me qëllim të përfitimit financiar, ata kanë organizuar, drejtuar, blerë, shitur, shpërndarë dhe transportuar në mënyrë të paautorizuar marihuanë. Sipas dyshimeve, B. A. ishte përgjegjës për sigurimin e substancës narkotike, ndërsa S. H. për transportimin e saj.
Rasti lidhet me një kontroll të Policisë së Kosovës, të realizuar më 16 tetor në fshatin Velekincë të Komunës së Gjilanit. Gjatë kontrollit në pronën e të dyshuarit B. A., në veturën e tij janë gjetur dhjetë njësi me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë të përgjithshme prej 53.2 kilogramësh.
Të dyshuarit dyshohet se kanë kryer, në bashkëkryerje, veprën penale të organizimit, drejtimit apo financimit të trafikimit të narkotikëve ose substancave psikotrope, si dhe veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
Sipas njoftimit, gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit dhe se masat e tjera alternative nuk do të ishin të mjaftueshme për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale.
Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Të pandehurit prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
