Publicisti dhe analisti Gezim Mekuli ka reaguar me një mesazh drejtuar policëve, mësuesve, pedagogëve, gazetarëve dhe intelektualëve në Shqipëri, duke u bërë thirrje të mos heshtin përballë asaj që ai e cilëson si dhunë ndaj protestuesve dhe shkelje të të drejtave themelore të njeriut.
Në shkrimin e tij, Mekuli u bën thirrje pjesëtarëve të Policisë së Shtetit që të mos përdorin forcën kundër protestuesve, veçanërisht të rinjve dhe fëmijëve, por të qëndrojnë në anën e ligjit dhe të qytetarëve.
“Deshe uniformën! Hiqe uniformën e policisë e mos thyej eshtra fëmijësh… Shqipëria nuk është pronë e asnjë regjimi!”, shkruan Mekuli.
Ai u drejtohet edhe mësuesve dhe pedagogëve, duke kërkuar që të qëndrojnë pranë nxënësve dhe studentëve të tyre, ndërsa gazetarëve u kërkon të informojnë qytetarët me përgjegjësi dhe të mos bëhen, sipas tij, zëdhënës të propagandës politike.
Mekuli ka një mesazh edhe për organizatat joqeveritare, juristët dhe intelektualët e pavarur, të cilëve u kërkon të reagojnë kur, sipas tij, protestuesit përballen me dhunë dhe shkelen të drejtat e tyre.
“Heshtja e juaj sot nuk është neutralitet; është ushqim për regjimin”, thekson ai.
Në shkrimin e tij, Mekuli përmend edhe shembuj historikë, përfshirë rënien e Murit të Berlinit dhe përfundimin e aparteidit në Afrikën e Jugut, duke argumentuar se asnjë pushtet nuk është i përjetshëm dhe se ndryshimet mund të vijnë përmes qëndresës qytetare.
Duke iu referuar edhe fjalimeve të Winston Churchillit gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai thekson se Shqipëria sot ka nevojë për guxim qytetar, ndërgjegje profesionale dhe qëndresë paqësore.
Në fund, Mekuli nënvizon se Shqipëria nuk i përket një partie, një kryeministri apo një grupi të caktuar njerëzish, por qytetarëve të saj, duke bërë thirrje për bashkim paqësor, mbrojtje të njëri-tjetrit dhe llogaridhënie.
“Deshe uniformën! Deshe uniformën pashë tokë e qiell, dorëzoje kërbaqin e mos thyej eshtra; ata janë fëmijët tanë… oksigjeni i Shqipërisë sonë”, përfundon mesazhi i tij.
Shkrimi i plotë:
Deshe uniformën! Hiqe uniformën e policisë e mos theni eshtra fëmijësh… Shqipëria nuk është pronë e asnjë regjimi!
U bëj thirrje policëve të ndershëm të Shqipërisë: mos e çoni dorën kundër fëmijëve e prindërve tuaj; sepse aty në turmë është një prind, një djalë e një vajzë, që nesër TI, duhet të shikosh në sy ata/ato dhe familjen e tyre. Polici, qëndroni në anën e ligjit dhe të popullit; jo në shërbim të push(k)tetit politik.
Mësues e pedagogë, që nga qerdhja e më lartë, dilni pranë rinisë, rrini pranë nxënësve dhe studentëve tuaj. Mos i braktisni, mos i lini vetëm përballë dhunës së regjimit. Gazetarë të ndershëm e të pakorruptuar, ju lutem, mos u bëni zëdhënës të propagandës së regjimit; mos përhapni lajme të rreme dhe mos e ushqeni urrejtjen brendashqiptare. Informoni qytetarin, e mos e manipuloni atë.
OJQ, juristë dhe intelektualë të pavarur e të pakorruptuar, aman ngriteni zërin kur rinia po dhunohet, kur protestuesit po gjakosen dhe kur të drejtat themelore të njeriut po shkelen me të dyja këmbët e policisë së shtetit; Heshtja e juaj sot nuk është neutralitet; është ushqim për regjimin.
Të nderuar,
Historia na mëson se asnjë pushtet nuk është i përjetshëm; ja shiko regjimin e Millosheviqit e të Vuçiqit; ra edhe Muri i Berlinit, u shemb dhe aparteidi në Afrikën e Jugut, mori fund. Jo sepse regjimet u bënë të mëshirshme, por sepse populli nuk pranoj më që frika të përcaktonte jetën e tyre.
Të dashur,
Churchill, që në orët më të errëta të Luftës së Dytë Botërore, premtoi qëndresë në çdo front;. Sot Shqipëria nuk ka nevojë për luftë, por për guxim qytetar, ndërgjegje profesionale dhe qëndresë paqësore e të pandalshme. Shqipëria dhe shqiptarët në tansi, kanë nevojë për njerëz që nuk e shesin të vërtetën, nuk e keqpërdorin detyrën dhe nuk e braktisin rininë në çastet më të rënda.
Shqipëria nuk është e një partie, e një kryeministri apo e një grushti njerëzish. Shqipëria është e qytetarëve të saj. Prandaj, qëndroni paqësisht të bashkuar, protestoni, mbroni njëri-tjetrin dhe kërkoni llogaridhënie.
Asnjë pushtet mbi popullin. Kurrë dhunë regjimesh mbi fëmijët tanë. Asnjëherë, e në asnjë mënyrë, heshtje përballë padrejtësisë!
Deshe uniformën! Hiqe uniformën e policisë, pash tokë e qiell, dorëzoje kërbaqin e mos theni eshtra; ata janë fëmijët tanë… oksigjeni i Shqipërisë sonë.
