Lajme

Historia pas aktit ekstrem të nënës së 2 fëmijëve në Durrës

Gruaja e cila tentoi të vetëdigjet me benzinë në qytetin e Durrësit rrëfen për Shqiptarja.com se ndodhet në gjendje shumë të vështirë psikologjike dhe emocionale për shkak të pamundësive ekonomike në familje, të cilën e kanë detyruar të marrë edhe një kredi

Gruaja 58-vjeçare e cila tentoi të djegë veten me benzinë në rrugë në qytetin e Durrësit disa ditë më parë, ndodhet në repartin e Djegie-plastikës në QSUT.

Për Shqiptarja.com ajo thotë se është e rënduar jo vetëm emocionalisht, por ka edhe dhimbje, veçanërisht në këmbën e djathtë ku ka djegiet më të mëdha.

Gruaja jeton me qira në qytetin e Durrësit me djalin e saj 28-vjeçar. “Ai është më shumë pa punë se sa në punë”, tregon ajo, teksa tregon se ka 4 muaj pa paguar qiranë dhe rrezikon që pronari t’i nxjerrë në rrugë në fund të tetorit.

58-vjeçarja tregon se ka edhe një vajzë të martuar, e cila e viziton pasi mbaron punën, por rrëfen se ndodhet në gjendje shumë të vështirë psikologjike dhe emocionale për shkak të pamundësive ekonomike në familje, të cilën e kanë detyruar të marrë edhe një kredi në një bankë të nivelit të dytë në vlerën 1 milionë lekë të vjetra.

“6 muaj i kam paguar, kam dhe pjesën tjetër. Dy muajt e fundit nuk i kam paguar”, tregon gruaja, e cila thotë se është ndjerë në presion sa herë që ka marrë telefonata nga banka për pagesat e kësteve mujore. “Edhe dje më kanë marrë në celularë, edhe pse jam këtu në spital”, thotë ajo.

Deri para disa ditësh nëna e 2 fëmijëve, ushqehej tek Qendra Ditore e te Moshuarve, por Bashkia e ka mbyllur përkohësisht pasi mësohet se është në proces tenderimi për ushqimet. “As bashkia nuk na ka përfillur me asgjë”, përfundon 58-vjeçarja.