Veprimtari Baki Shala, në një postim në profilin e tij në Facebook ka publikuar fotografinë ikonike të vitit 1999 nga fotografi i njohur Peter Turnley që tregon Xajë Mustafën, një baba shqiptar nga Kosova, duke mbajtur në dorë fotografitë e dy djemve të tij të zhdukur gjatë luftës.
Pamja e thjeshtë, por tronditëse, e shfaqte Mustafën duke pyetur njerëzit nëse kishin parë fëmijët e tij, me sytë plot lot dhe zemër të thyer dhe me frikën se ata mund të ishin vrarë nga forcat serbe në Mitrovicë.
Gjatë konfliktit, ai u mor peng dhe u largua si refugjat në Shqipëri, ku i thanë se djemtë e tij kishin vdekur.
Fotografia u publikua në kopertinën e Newsweek International, duke tërhequr vëmendjen e botës për tragjedinë e luftës në Kosovë e Kosovës. Disa vite më vonë, Turnley u kthye dhe gjeti Mustafën – familja ishte ribashkuar dhe të gjithë ishin gjallë.
Sot, Xajë Mustafa punon si teknik në një shkollë fillore në Mitrovicë, fëmijët e tij janë rritur – njëri 31 vjeç, tjetri 26 – dhe ka edhe një djalë të tretë. Mustafa, tani gjysh, thotë me krenari se është “gjyshi më i lumtur në botë”. Ai ka sqaruar gjithashtu se fotografia nuk ka lidhje me bombardimet e NATO-s, ndryshe nga disa keqinterpretime që u përhapën me kohën.
Postimi i plotë:
Në vitin 1999, gjatë luftës në Kosovë, fotografi i njohur Peter Turnley realizoi një fotografi që më pas u bë shumë e famshme.
Në të shihej Xajë Mustafa, një baba shqiptar nga Kosova, i cili mbante në dorë fotografinë e dy djemve të tij të zhdukur gjatë luftës.
Pamja ishte e thjeshtë, por tepër e rëndë: Mustafa u afrohej njerëzve dhe i pyeste nëse i kishin parë djemtë e tij, me sytë plot lot dhe me zemrën e thyer.
Ai kishte frikë se mund të ishin vrarë nga forcat serbe në zonën e Mitrovicës.
Gjatë luftës, Xaja ishte marrë peng nga forcat serbe dhe më pas ishte detyruar të largohej për në Shqipëri si refugjat.
Në atë kohë i kishin thënë se djemtë e tij kishin vdekur.
Turnley e fotografoi pikërisht në momentin kur ai shtrëngonte fort fotografitë e fëmijëve të tij, me dhimbje e pasiguri të madhe.
Ajo fotografi doli në kopertinën e revistës Newsweek International dhe tërhoqi vëmendjen e botës për atë që po ndodhte në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin.
Disa vite më vonë, Turnley u kthye në Kosovë dhe arriti ta gjejë sërish Mustafën. Lajmi i mirë ishte se familja ishte ribashkuar dhe të gjithë ishin gjallë e shëndoshë.
Fatkeqësisht, me kalimin e kohës, disa persona e kanë përdorur atë fotografi për të përhapur informata të pasakta, duke e lidhur me bombardimet e NATO-s në Serbi.
Por Mustafa e ka sqaruar vetë: ai nuk ka qenë viktimë e operacioneve të NATO-s.
Në një intervistë, Xaja e ka treguar historinë e tij të vërtetë.
Sot ai punon si teknik në një shkollë fillore në Mitrovicë.
Djemtë janë rritur – njëri është 31 vjeç, tjetri 26.
Ai ka edhe një djalë të tretë, i cili në vitin ’99 ishte ende foshnjë.
Sot Mustafa është bërë gjysh dhe thotë me krenari se është “gjyshi më i lumtur në botë”.
