Disa miqësi zgjasin gjithë jetën, veçanërisht kur njëri nga miqtë është një breshkë afrikane që mund të jetojë deri në 100 vjet. Caitlin Doran, një vajzë që jeton në Kaliforni është bërë virale në TikTok për videot dhe momentet e miqësisë që publikon me një mikeshë jo fort të zakonshme, por që e ka pjesë të jetës prej 22 vitesh: breshka që e ka emrin Tiptoe.
Kur Caitlin ishte 7 vjeç, ajo i kërkoi babagjyshit një breshkë dhe për habinë e saj, dëshira iu plotësua për Krishtlindje. “Nuk e di nga më erdhi ideja, por thjesht doja një kafshë jo të zakonshme, pra disi unike, ndaj një breshkë ishte zgjidhja,” u shpreh Doran.
Asokohe breshka ishte në madhësinë e dorës së Caitlin, ndërsa sot ajo peshon 175 kilogramë dhe festoi ditëlindjen e saj të 22-të vetëm disa muaj më parë. “Gjithçka është një proces mësimi sepse çdo breshkë është e ndryshme dhe ju duhet të mësoni sinjalet që kafsha ju jep,” vijoi ajo.
Breshka 175 kilogramëshe mund të shihet duke bërë shëtitje në lagjen e vajzës dhe zakonisht për të përfunduar një xhiro të plotë bashkë me breshkën u duhen plot 40 minuta.
Caitlin numëron afro pesë milionë ndjekës në TikTok që janë shtuar edhe më shumë pasi pandemia e Covid goditi mbarë botën. “Rreth katër ose pesë muaj duke qenë në karantinë thjesht nuk dija çfarë të bëja. Kjo u bë arsyeja pse nisa ta prezantoja breshkën në TikTok, e prej asaj kohe interesi është shumë i madh,” tha ajo.
Miqësia e veçantë prej më shumë se dy dekadash me breshkën është për të, por edhe mijëra ndjekës virtualë, kaq speciale!