LifeStyle

Holliwood – Harry dhe Meghan, polemikat para udhëtimit në Australi

“Babai im nuk më flet më për shkak të mosmarrëveshjes për çështjen e sigurisë.” Kështu, njëmbëdhjetë muaj më parë, Princi Harry i zbulonte BBC-së një nga arsyet themelore të krisjes me të atin, Mbretin Charles. “Është vërtet e trishtë të mos mund t’u tregoj fëmijëve të mi vendin ku kam lindur”, shtoi duka, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila, pas humbjes së statusit si anëtar aktiv i familjes mbretërore, i mohoi eskortën, edhe nëse ajo do të paguhej nga xhepi i tij. “Mund të vij në Mbretërinë e Bashkuar në siguri vetëm nëse jam i ftuar.”

Tema, edhe pse në forma të ndryshme, është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes në orët e fundit, për shkak të udhëtimit të Sussex-ëve drejt Oqeanisë.

Në internet, në fakt, është shfaqur një peticion me titullin “Asnjë financim publik apo mbështetje për vizitën zyrtare të Harry dhe Meghan Markle në Australi”, i cili ka mbledhur mbi 30 mijë firma.

Nisma, siç shkruan Daily Mail, ka lindur në një klimë konfuzioni, sepse për disa javë autoritetet federale kanë refuzuar të sqarojnë se kush do të merrte përsipër përgjegjësinë për sigurinë e çiftit, duke ushqyer hipotezat se taksapaguesit australianë mund të detyroheshin të mbulonin kostot.

Një furtunë polemikash pa shumë kuptim, pasi udhëtimi, siç është njoftuar, do të financohet privatisht.

Pas udhëtimit të tyre zyrtar mbretëror në vitin 2018, Harry dhe Meghan rikthehen kështu në Australi si qytetarë privatë. Madje, do të ndjekin edhe itinerare të ndara.

Ajo do të ndalet në Sydney për të marrë pjesë në një retreat luksoz yoga dhe meditimi, që do të mbahet nga 17 deri më 19 prill, me bileta mbi 2000 euro.

Ai, nga ana tjetër, do të marrë pjesë si folës kryesor në InterEdge Psychosocial Safety Summit në Melbourne, një samit dyditor i dedikuar sigurisë psikologjike dhe mirëqenies mendore në vendet e punës.

Kjo ndarje e angazhimeve tregon se Harry dhe Meghan kanë zgjedhur të veprojnë duke ndjekur interesat dhe kompetencat e tyre personale.

“Peticioni ka arritur vetëm një rezultat: të prishë atmosferën para mbërritjes së çiftit”, deklaroi për Mirror korrespondentja mbretërore Jennie Bond. “Për aq sa di unë, bëhet kryesisht fjalë për një udhëtim biznesi, i menduar për të zgjeruar markën e Meghan në nivel global.”

Më pas ajo bëri edhe një sqarim, duke iu rikthyer sërish çështjes së sigurisë. “Ndërsa afrohemi drejt Invictus Games 2027, që do të zhvillohen në Birmingham, kjo do të bëhet gjithnjë e më shumë një prioritet absolut.”

Pozicioni i princit, pas një letre të dërguar Sekretares së Shtetit për Çështjet e Brendshme, Shabana Mahmood, është aktualisht në fazë rishqyrtimi. “Një vendim në favor të tij mund të ndihmojë të paktën në shërimin e një pjese të përçarjes me familjen e tij.”

Të Ngjashme