Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së Avdullah Hoti, ka ngritur alarmin për rritjen e kostove të prodhimit në vend, duke paralajmëruar pasoja serioze për ekonominë dhe konkurrueshmërinë e prodhuesve vendorë.
Në një reagim publik, Hoti iu referua të dhënave të ASK-së, sipas të cilave çmimet e prodhimit në tremujorin e parë të vitit 2026 janë rritur për 7.9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, ndërsa krahasuar me vitin 2021, rritja e kostove të prodhimit ka arritur në 24.1 për qind.
Sipas tij, rritja e kostove është shkaktuar kryesisht nga shtrenjtimi i energjisë dhe mungesa e politikave zhvillimore që do të mbështesnin sektorin prodhues.
“Pasojat e kësaj situate janë të shumëfishta, afatgjata dhe strukturore. Ndërmarrjet prodhuese të Kosovës e humbin tregun vendor, pasi konsumatorët orientohen drejt produkteve më të lira nga importi. Punësimi në sektorin e prodhimit bie, investimet në prodhim bien dhe të ardhurat e përgjithshme bien”, ka deklaruar Hoti.
Ai ka theksuar se rritja e importeve tashmë është bërë evidente në ekonominë e vendit.
“Mes viteve 2021 dhe 2025, importi është rritur nga 4.6 miliardë në 7.0 miliardë. Rritja ekonomike zvogëlohet dhe të ardhurat rrjedhin jashtë vendit. Në afat më të gjatë ekonomia vendore e humb aftësinë konkurruese pasi mungojnë investimet në prodhim dhe nuk krijohen kapacitete sa i përket kapitalit njerëzor”, është shprehur ai.
Ish-kryeministri, ka paralajmëruar se Kosova rrezikon të futet në një “kurth të zhvillimit të ulët”, nëse nuk ndryshohet qasja ekonomike dhe fiskale ndaj sektorit privat.
“Ky trend dhe ky kurth duhet stopuar sa më parë. Qeveria e re duhet të jetë e djathë, me orientim kah zhvillimi. Para se gjithash, duhet investuar fuqishëm në infrastrukturë dhe energjetikë për të ulur kostot e prodhimit. Duhet rishikuar menjëherë politikat fiskale që prekin ndërmarrjet prodhuese”, theksoi ai.
Ai ka propozuar gjithashtu bashkëpunim më të ngushtë me sistemin bankar për të krijuar instrumente kreditore më të favorshme për prodhuesit vendorë.
“Duhet punuar ngushtë me sistemin bankar për të zhvilluar instrumente kreditore favorizuese për ndërmarrjet prodhuese, për të cilat duhet të lëshohen garanci me pjesëmarrje të shtetit përmes blerjes së polisave të sigurimit që mbulojnë riskun e dështimit të kthimit të kredisë”, ka deklaruar Hoti.
Në fund të reagimit të tij, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e 7 qershorit të mbështesin një qeveri që, sipas tij, fokusohet në zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të punës.
“Kosovës i duhet qeveri që menaxhon zhvillimin, që krijon vende pune, që investon dhe krijon ambient ekonomik ku familjet i sigurojnë të ardhurat për konsum para se gjithash nga rritja e punësimit dhe e pagave. Kosovës nuk i duhet një qeveri që prodhon dhe menaxhon kriza”, përfundon reagimi i Hotit.
