Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Hoti, në emisionin “Këndi i debatit” në Tëvë1, ka folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit dhe raportet me opozitën, duke theksuar se për VV-në roli i opozitës është i rëndësishëm në këtë proces.
Sipas tij, pavarësisht dallimeve politike, mazhoranca ka treguar gatishmëri për bashkëpunim dhe ka bërë oferta konkrete për të arritur një zgjidhje.
“Opozita për neve është e rëndësishme, aq e rëndësishme sa që nuk po mendojmë të ecim vetë përpara për ta zgjedhur presidentin. Ne i kemi ftuar në takim dhe kemi qenë tepër gjenerozë, madje oferta jonë ndaj LDK-së ka shkuar përtej edhe vullnetit të qytetarëve. Kemi ofruar edhe postin e kryetarit të Kuvendit për opozitën,” ka deklaruar Hoti.
Ai ka akuzuar opozitën se qëllimi i saj kryesor nuk është zgjidhja e situatës, por largimi i Albin Kurti nga pushteti.
“Kjo opozitë është mësuar ndryshe të veprojë dhe ndryshe të arrijë marrëveshje në situata të tilla politike. Arsyeja pse ata nuk duan të ecin tutje është se janë mësuar jo vetëm me marrëveshje për bashkëqeverisje, por edhe me ndarje të interesave,” ka thënë ai.
Hoti shtoi se, sipas tij, VV nuk është e gatshme të bëjë kompromise të tilla.
“Ne nuk blejmë deputetë, nuk japim ambasada. Përballë kemi një opozitë me apetite të theksuara personale, e cila është mësuar të përfitojë në kurriz të shtetit. Qëllimi i tyre është që Albin Kurti të mos jetë kryeministër,” ka përfunduar Hoti.
