Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, vizitoi sot Zyrën e Punësimit dhe Qendrën e Aftësimit Profesional në Mitrovicë, ku nga afër u njoh me punën dhe angazhimin që po bëhet për krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë në fushën e punësimit dhe zhvillimit profesional.
Gjatë vizitës, ministri Hoti theksoi rëndësinë e zbatimit të programit “Garancia për të Rinjtë”, i cili synon që çdo i ri i regjistruar të marrë një ofertë cilësore për punë, praktikë apo aftësim profesional brenda katër muajve.
“Ky është standard që po e ndërtojmë hap pas hapi dhe që lidhet drejtpërdrejt me vizionin tonë për një Kosovë me më shumë mundësi për të rinjtë. Nuk do të lejojmë që rinia jonë dhe të gjithë qytetarët e aftë për punë të mbeten pa shkollim, pa zanate dhe pa mundësi për punësim”, u shpreh Hoti.
Ai tha se fuqizimi i të rinjve përmes arsimit cilësor, aftësimit profesional dhe krijimit të vendeve të dinjitetshme të punës mbetet prioritet institucional.
“Emigrimi nuk duhet të jetë domosdoshmëri. Të rinjtë tanë duhet ta kenë mundësinë e zgjedhjes këtu, në vendin e tyre, përmes arsimit cilësor, aftësimit profesional dhe vendeve të dinjitetshme të punës. Si Qeveri dhe si ministri, mbetemi të përkushtuar që të investojmë në rininë tonë, sepse zhvillimi i Kosovës fillon nga fuqizimi i të rinjve”, theksoi Hoti.
