Lajme

Hoxha: Fajdet po noterizohen, të ndryshohet Kodi Penal

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se fajdeja po merr forma gjithnjë e më të sofistikuara, përfshirë edhe noterizimin e marrëveshjeve dhe përfshirjen e salloneve të veturave.

Ai ka thënë se narkotikët është fenomeni tjerët serioz me të cilën po përballet vendi

Hoxha u shpreh kështu gjatë prezantimit të planit vjetor të punës për vitin 2025 të Policisë Rajonale të Prishtinës.

“Fenomeni tjetër problematik është fajdeja. Para dy vjetësh kemi krijuar një task-forcë e cila ka zhvilluar dhjetëra operacione kundër fajdexhinjve në Kosovë. Megjithatë, kjo dukuri vazhdon të jetë prezente dhe kërkon angazhim të përbashkët me Prokurorinë”, ka thënë Hoxha

Ai ka sqaruar se njëra nga format e reja të fajdesë është noterizimi i marrëveshjeve, ku viktimat, për shkak të vështirësive financiare, pranojnë të legalizojnë marrëveshje të paligjshme përmes noterëve, duke kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ta ndryshojë “Kodin Penal”.

“Legjislatura e ardhshme e Kuvendit të Kosovës duhet ta ndryshojë Kodin Penal, në mënyrë që të rritet efikasiteti i luftës kundër këtij fenomeni, si në aspektin hetimor ashtu edhe në atë ndëshkues”, theksoi ai.

Forma tjetër, sipas Hoxhës, lidhet me përfshirjen e salloneve të veturave në skemat e fajdesë.

“Edhe sallonet e veturave, shitjet e veturave janë të përfshira në këtë veprimtari. Në bazë të informacioneve këta janë të përfshirë në këtë muhabet. Kështu që kërkoj më shumë informacione për çështjen e fajdeve”, ka thënë Hoxha.

Duke folur për problemin e narkotikëve, drejtori i Policisë theksoi se droga është e përhapur në Kosovë dhe prek veçanërisht të rinjtë, duke e cilësuar këtë si një betejë afatgjate.

“Lufta kundër drogës nuk është një betejë që e ka fituar ndonjë shtet plotësisht, por ne do të bëjmë maksimumin për ta reduktuar ofertën dhe kërkesën përmes bashkëpunimit me familjet, shkollat, komunat, organizatat dhe institucionet e drejtësisë”, u shpreh ai.

Të Ngjashme