Konteksti i ri i krijuar për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nga Dhomat e Specializuara në Hagë ka nxitur reflektim për mënyrën se si është trajtuar UÇK-ja pas çlirimit. Kështu tha Eliza Hoxha në hapjen e konferencës kombëtare “Lufta për UÇK-në”, të organizuar nga platforma “Liria ka emër”.
Hoxha tha se, përveçse janë sulmuar dhe cenuar figura të ndryshme të UÇK-së, nuk është bërë sa duhet për ruajtjen dhe dokumentimin e historisë së saj.
Sipas saj, ky është një moment kritik dhe historik për Kosovën, por edhe një moment i ndjeshëm për shoqërinë dhe shtetin.
Hoxha: Nuk kemi bërë mjaftueshëm për ta memorizuar luftën e UÇK-së
“Ka një ironi në vetë titullin e konferencës “Lufta për UÇK-në”, domethënë sepse si duket në kontekstin e ri të krijuar nga Dhomat e Specializuara edhe ne jemi zgjuar në idenë e asaj se si e kemi trajtuar luftën e UÇK-së pas çlirimit. Çfarë kemi bërë ne për ta memorizuar atë? Çfarë kemi bërë ne për ta bërë atë pjesë të edukimit konstant për fëmijët dhe gjeneratat e reja, për ta për ta paketuar atë brenda hapësirave muzeale apo edhe për të shkruar për betejat e shumta të cilat kanë ndodhur, për luftëtarët të cilët nuk janë në mesin tonë, por edhe për ata që i kemi në mesin tonë dhe kanë qenë aktivë në jetën publike? Përtej që kemi, që thotë Ismaili,a kemi pështyrë e kemi pluhurosur në në në në karakteret e ndryshme duke e përdorur ndjenjën tonë personale karshi aktorëve të caktuar dhe kemi gjykuar, kemi bërë gjyq publik të panevojshëm karshi karaktereve që kanë vazhduar jetën publike, nuk kemi bërë ndonjë gjë tjetër të dinjitshme. Prandaj ky moment kritik, historik për Kosovën më së pari, por edhe për UÇK-në është i ndjeshëm sa për ata njerëz që janë atje tash e gjashtë vjet në Hagë po mbahen padrejtësisht, aq edhe për ne si shoqëri dhe si shtet”, tha Hoxha.
Ndërkaq, profesori Enver Hasani u shpreh optimist se Kosova do ta përballojë edhe këtë proces dhe do të dalë “faqebardhë” nga ajo që ai e quajti “stuhia e fundit”.
Ai tha se Kosova, si një shtet i ri dhe fragjil, është përballur me procese dhe sfida të shumta para dhe pas shpalljes së pavarësisë.
Hasani: Kosova do ta përballojë edhe këtë stuhi dhe do të dalë faqebardhë
“Unë jam optimist që që Kosova del faqebardhë domethënë për për shkak të edhe politike, por edhe juridike. Dhe vërtet Kosova shpëton sepse prej pasluftës, para para pavarësisë dhe pas pavarësisë, ne kemi procese të ndryshme. Domethënë njëra pas tjetrës dhe lloj-lloj problemesh të cilat ne kanë qenë për një popull kaq të vogël, për një shtet kaq të ri, kaq fragjil çfarë jemi ne, me i përballuar. Megjithatë besoj edhe Kosova për këtë stuhi fundit do ta përballojë dhe do të dalë domethënë faqebardhë kështu siç jemi”, tha Hasani.
Diplomati Ylber Hysaj tha se projektin “Liria ka emër” e sheh si një përpjekje kundër harresës.
Ai foli edhe për periudhën e viteve nëntëdhjetë, kur kishte shkruar për ekzistencën e UÇK-së, duke kujtuar reagimet që kishte marrë atëherë.
Hysaj: “Liria ka emër” është luftë kundër mallkimit të harresës
“Unë projektin “Liria ka emër” si një përpjekje për luftë kundër mallkimit të harresës. Ëh dhe do të nisem me një aforizëm. Vitet e 90-ta kur kam shkruar kur kam shkruar që ekziston UÇK-ja, ka qenë e parë në mediatike në Kosovarë, dikush shumë i rëndësishëm nga bota e gazetarisë më ka thënë gjysmë me shaka e gjysmë seriozisht: “Ti ose je shpiun ose budallë.” Gjykuar prej perspektivës së sotit kjo duket shumë cinike edhe e rëndë, por nuk ka qenë, ka qenë njerëzore”, tha Hysaj.
Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se pas shpalljes së pavarësisë ka nisur një tjetër betejë politike dhe juridike për Kosovën, e lidhur me proceset në Dhomat e Specializuara.
Hoxhaj u shpreh optimist se ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë do të lirohen dhe do të kthehen në Kosovë.
Ai tha se lufta e UÇK-së ishte e veçantë edhe për faktin se, sipas tij, ishte mbështetur dhe “certifikuar” nga NATO.
Hoxhaj: Lufta e UÇK-së ishte e certifikuar nga NATO
“Nuk ka pasur ndonjë luftë në Evropë e kudo në botë e cila është certifikuar nga NATO, ka qenë lufta e UÇK-së. Ka qenë një luftë e cila, po përdor një term kështu teknik, ka qenë luftë e certifikuar nga vetë NATO-ja. Por edhe pavarësia jonë ka qenë një proces i një koncepti të një sovraniteti të pavarësisë së merituar falë përmbushjes së shumë kushteve dhe kritereve të cilat i kemi bërë si popull”, tha Hoxhaj.
