Lajme

Hoxhaj: Trump e zgjidh çështjen Kosovë-Serbi brenda këtij mandati

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se nën administrimin e ish-presidentit amerikan Donald Trump, Ballkani do të jetë më i qëndrueshëm dhe më stabil.

Ai theksoi se një administratë Trump do të kishte një angazhim më të madh për stabilitetin në rajon dhe një qasje më të vendosur për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura.

“Unë besoj se rajoni do të jetë më i qëndrueshëm dhe një administratë nën udhëheqjen e Trump do të jetë më e përkushtuar për stabilitetin në rajon. Do të ketë një vazhdimësi dhe një vendosmëri për të shtyrë përpara disa çështje të pazgjidhura në Ballkan”, tha Hoxhaj për A2CNN. .

Tutje shtoi se përkushtimi i SHBA-së për Ballkanin është i domosdoshëm dhe se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrijë një epilog të favorshëm për qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët në rajon. Hoxhaj po ashtu ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO duhet të jetë prioritet.

Në një analizë të detajuar për të ardhmen e Kosovës dhe gabimet e qeverisë aktuale të udhëhequr nga Albin Kurti, Hoxhaj ka shprehur besimin se Trump do t’i mbyllë çështjet e pazgjidhura në Kosovë brenda mandatit të tij. Ai përmendi edhe projektin 20/25 të hartuar nga njerëz të afërt me Trump, i cili përfshin prioritetin e anëtarësimit të Kosovës në NATO, hap që sipas tij do të krijonte një ekuilibër të qëndrueshëm në raport me Serbinë dhe rajonin.

Hoxhaj ka përmendur edhe ndikimin që mund të kenë situatat politike në Evropë, si kriza në qeverinë gjermane dhe situata në Francë, në dialogun Kosovë-Serbi dhe theksoi rëndësinë e një partneriteti të fortë amerikano-evropian.

Qeveria e përgjegjshme në Kosovë, sipas tij, mund të jetë faktor kyç për përmbylljen e dialogut me njohje reciproke.

Sa i përket çështjes së krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Hoxhaj tha se kjo nuk duhet të ndodhë pa siguruar njohjen e Kosovës nga Serbia.

Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në NATO do të ishte dënimi më i mirë për Serbinë pas sulmit terrorist në Banjskë.

“Dëmi më i madh që qeveria Kurti i ka shkaktuar Kosovës është mospërmbyllja e dialogut me administratën e Bidenit, duke humbur kështu një mundësi historike. Mënyra më e mirë për të ndëshkuar Serbinë për agresionin e 24 shtatorit është anëtarësimi i Kosovës në NATO, që do të përbëjnë prioritetin më të lartë”, tha Hoxhaj, duke theksuar se me një administratë të përkushtuar ndaj Ballkanit, Kosova duhet të kërkojë mbështetje për nënshkrimin e planit të veprimit me NATO-n dhe ofrimin e udhërrëfyesit drejt anëtarësimit. parandalimi i rikthimit të hegjemonisë serbe në rajon.