Shëndetësi

Hulumtimi i ri që hedh poshtë frikën për efektet e rënda pas ndërprerjes së antidepresantëve

Shumica e njerëzve që ndërpresin ilaçet kundër depresionit nuk përjetojnë simptoma të mjaftueshme për t’u konsideruar si sindromë abstinence klinike, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën JAMA Psychiatry. Analiza, më e madhja deri më sot për këtë çështje, u krye nga studiues të Imperial College London dhe përfshiu të dhëna nga 50 studime të kontrolluara të rastësishme, me rreth 17,800 pjesëmarrës.

Sipas autorit kryesor, Dr. Sameer Jauhar, shumica e njerëzve që ndalojnë përdorimin e antidepresivëve përjetojnë simptoma të lehta si marramendje, të përziera apo nervozizëm, kryesisht në dy javët e para. Megjithatë, këto simptoma janë përgjithësisht nën pragun klinik për t’u konsideruar si abstinencë e rëndë. Studimi sugjeron gjithashtu se ndërprerja e ilaçeve nuk shoqërohet me përkeqësim të gjendjes shpirtërore, çka nënkupton se rikthimi i depresionit është më pak i mundshëm nga ndërprerja vetë.

Rezultatet bien ndesh me një studim më të hershëm që theksonte prevalencë të lartë të simptomave të abstinencës, por që sipas profesoreshës gjermane Katharina Domschke, kishte metodologji të dobët dhe bazë të vogël pjesëmarrësish. Domschke e vlerësoi analizën e fundit si një kontribut të rëndësishëm në zbutjen e stigmës për antidepresantët.

Studimi analizoi disa lloje të medikamenteve kundër depresionit, si SSRI-të (p.sh. escitalopram, sertralinë), SNRI-të (si venlafaksina), si dhe agjentë të tjerë më të rinj si vortioksetina. Rezultatet treguan se ndërprerja e ilaçeve mund të sjellë vetëm një simptomë më shumë krahasuar me placebo-n. Për shembull, 20% e pacientëve që ndaluan venlafaksinën raportuan marramendje, kundrejt vetëm 1.8% të atyre që ndaluan placebo-n.

Megjithatë, autorët paralajmërojnë se shumica e studimeve ndoqën pacientët vetëm për dy javë, duke kufizuar kuptimin mbi efektet afatgjata. “Ende kemi nevojë për më shumë të dhëna për përdoruesit afatgjatë dhe praktikat më të mira për ndërprerje,” tha Dr. Christiaan Vinkers nga Universiteti i Amsterdamit. Sipas tij, këto gjetje ndihmojnë në ndërtimin e një kuptimi më të balancuar dhe shkencor për ndërprerjen e antidepresantëve.

Të Ngjashme