Një 61-vjeçar ka humbur jetën pasditen e së martës në fshatin Pozheran të Vitisë, pasi dyshohet se ka rrëshqitur aksidentalisht në ballkonin e shtëpisë së tij, i cili ishte lagur si pasojë e stuhisë që përfshiu Kosovën.
Sipas Policisë së Kosovës, viktima kishte pësuar lëndime në kokë dhe ishte transportuar me autoambulancë në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan.
“I njëjti me autoambulancë është dërguar në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, ku sipas mjekut kujdestar është konstatuar se është pa shenja jete”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.
Ndërkohë, stuhia ka shkaktuar edhe incidente të tjera në Pozheran. Sipas Policisë, dy persona kanë pësuar lëndime të lehta trupore pasi dyert hyrëse të oborrit të tyre janë rrëzuar si pasojë e kushteve të rënda atmosferike.
“Të njëjtit, pas tretmanit mjekësor të pranuar në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, janë liruar për në shtëpi”, ka bërë të ditur Policia.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë apel qytetarëve që gjatë kushteve të pafavorshme atmosferike të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara dhe të respektojnë udhëzimet e institucioneve përgjegjëse.
