Policia e Kosovës, në koordinim të ngushtë me njësi të tjera relevante policore dhe institucionet e drejtësisë, të martën ka kryer ekstradimin e një shtetasi shqiptar nga Shqipëria në Kosovë.
Sipas njoftimit nga policia, ky individ ishte kapur nga autoritetet shqiptare, pasi ndaj tij ishte lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar nga organet e drejtësisë kosovare, për shkak të veprave penale që përfshijnë “Kultivimin e narkotikëve si dhe blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”. Ai i ishte shmangur përballjes me ligjin.
“Ky ekstradim u realizua si rezultat i bashkëpunimit të frytshëm midis institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Pas ekstradimit, personi i dyshuar iu dorëzua njësive përkatëse të Policisë së Kosovës për të vazhduar me procedurat e mëtejshme ligjore. Policia e Kosovës do të vijojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim që të parandalojë, hetojë dhe zbulojë aktivitetet kriminale që lidhen me hetimin e autorëve të veprave penale, si dhe aktivitete të tjera në gjurmimin, kapjen dhe arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit,” thuhet në deklaratën e Policisë./teve1.info/


