I dyshuari për vrasjen që ndodhi mëngjesin e së hënës në Gjakovë është vetëdorëzuar në polici.
Lajmin për Tëvë1 e ka konfirmuar Vlera Krasniqi, zyrtare për informim në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë.
Sipas saj, ngjarja kishte ndodhur në orët e para të mëngjesit në rrugën “Vëllezërit Frashëri”, pas një konflikti mes disa personave.
“Pas ngjarjes së ndodhur sot në orët e para të mëngjesit në rrugën ‘Vëllezërit Frashëri’, ku kishte ndodhur një konflikt si pasojë e të cilit një person mbeti i plagosur dhe një tjetër humbi jetën, i dyshuari para pak çastesh është vetëdorëzuar në Polici në Gjakovë. Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë po ndërmerr të gjithë hapat e nevojshëm bazuar në procedurat policore”, ka konfirmuar për Tëvë1 Krasniqi.
Autoritetet policore kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
