Një person ka mbetur i plagosur mbrëmjen e sotme në Zhabar pas të shtënave me armë zjarri.
Rastin e ka konfirmuar për Tëvë1, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili ka njoftuar se i plagosuri është dërguar menjëherë në spital për trajtim mjekësor.
Ai tha se njësitet policore po zhvillojnë hetime për rrethanat e ngjarjes.
“Rreth orës 22:00 Policia ka pranuar një informatë për të shtëna me armë zjarri, të ndodhura në fshatin Zhabar te Mitrovices se Jugut. Nga hetimet fillestare bëhet e ditur se një person i moshës madhore ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit. I njëjti është dërguar në spital për tretman mjekësor. Njësitet përkatëse policore janë duke zhvilluar hetimet”, tha ai.
Ndërkohë, për gjendjen shëndetësore të të plagosur është deklaruar zëdhënësi i Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, Shpend Fazliu, i cili bëri të ditur se i plagosuri është jashtë rrezikut për jetë.
Ai tha pas ekzaminimeve nga stafi mjekësor, është konstatuar se personi, i lindur në vitin 1982, ka pësuar lëndim në këmbë nga arma e zjarrit.
Tashmë, ai aktualisht po merr trajtim dhe sipas mjekëve, është jashtë rrezikut për jetë.
“Ju konfirmojmë se në ora 22:25, në Shërbimin Emergjent të Spitalit të Përgjithshëm ‘Dr. Sami Haxhibeqiri’ në Mitrovicë është paraqitur për trajtim mjekësor emergjent, një rast( 1982). Pas ekzaminimeve mjekësore nga stafi Emergjent, është konstatuar lëndim në këmbë, me armë zjarri. Aktualisht, po vazhdon trajtimi dhe i plagosuri është jashtë rrezikut për jetë!”, tha ai.
Rrethanat e incidentit nuk janë bërë ende të ditura. /teve1.info/
