Shkencëtarët në Australi kanë zhvilluar një mjet të inteligjencës artificiale (IA) që mund të parashikojë rrezikun e sëmundjeve të zemrës tek gratë duke analizuar mamografitë e tyre – ekzaminime që përdoren zakonisht për diagnostikimin e kancerit të gjirit.
Mjeti, i krijuar nga universitetet australiane dhe Instituti George për Shëndetin Global, përdor vetëm moshën dhe imazhet e mamografisë për të parashikuar gjasat që një grua të shtrihet në spital ose të vdesë brenda 10 viteve nga pamjaftueshmëria e zemrës apo probleme të tjera kardiake.
“Është një keqkuptim i zakonshëm që sëmundjet e zemrës prekin kryesisht burrat, duke rezultuar në nën-diagnostikim dhe nën-trajtim tek gratë,” tha Clare Arnott, drejtoreshë e programit kardiovaskular në Institutin George. Ajo theksoi se ky mjet i ri u mundëson mjekëve të identifikojnë dhe potencialisht të parandalojnë dy shkaqe kryesore të vdekjeve tek gratë – kancerin e gjirit dhe sëmundjet e zemrës – në të njëjtën kohë.
Studimi, i publikuar në revistën Heart, përfshiu të dhëna nga mbi 49,000 gra. Sipas autorëve, mjeti i IA rezultoi po aq i saktë sa modelet e tjera që kërkojnë informacion shtesë mjekësor, si tensioni i gjakut apo nivelet e kolesterolit. “Avantazhi kryesor është se nuk kërkon marrje shtesë të historisë mjekësore, duke e bërë më pak intensiv në burime, por prapëseprapë shumë të saktë,” shtoi Arnott.
Dr. Jennifer Barraclough, një nga autoret e studimit, tha se teknologjia mund të ketë ndikim të madh në zonat me qasje të pabarabartë në kujdesin shëndetësor, si Australi rurale, ku njësitë lëvizëse të mamografisë ofrojnë kontrolle falas për gratë.
“Ne kemi treguar potencialin e këtij mjeti inovativ, ndaj tani mezi presim ta testojmë në popullata të tjera dhe të kuptojmë pengesat e mundshme për zbatimin e tij,” tha Barraclough.
Sëmundjet kardiovaskulare shkaktojnë rreth 35% të vdekjeve tek gratë në mbarë botën, por shpesh mbeten të nënvlerësuara.
