Shëndetësi

Idetë kolonizuese të bukurisë: Si lidhen produktet e zbardhjes së lëkurës me kancerin te gratë afrikane me ngjyrë

Dy muaj pasi kishte shkuar në spital, një 65-vjeçare ndërroi jetë dhe mjekët fajësojnë kremrat kozmetikë që ajo kishte përdorur për dekada me radhë në lëkurë, raporton The Guardian.

Pacientja anonime nga Togo është një nga rastet e fundit e raportuara në revistat mjekësore të kancerit te gratë afrikane me ngjyrë, të lidhura me kremrat dhe locionet për zbardhjen e lëkurës që kanë nxitur dermatologët të kërkojnë masa më të mira rregullatore.

Melanina që është e pranishme në lëkura të errëta ofron mbrojtje kundrejt dëmtimit që mund të shkaktojë dielli.

“Pacientët me lëkurë me ngjyrë një SPF natyrale deri në 15, thjesht për shkka të lëkurës së pigmentuar.  Nëse ata e heqin melaninën me kremra për zbardhjen e lëkurës, po heqin mbrojtjen natyrale”, thotë Ncoza Dlova nga University of KwaZulu-Natal në Afrikën e Jugut.

Shifrat e përdorimit të produkteve për zbardhjen e lëkurës në vendet afrikane shkojnë nga 25-80% te gratë. 

Dlova dhe kolegët e saj po shkruajnë një dokument ku përmenden mbi 55 raste kanceri nga vende ku përfshihen Mali dhe Senegali.

“Nëse po vetëshkaktojmë kancer lëkure, ky është një sinjal i kuq dhe shqetësues. Duhet të bëjmë diçka”, thotë Dlova.

Tregu i produkteve për zbardhjen e lëkurës po rritet dhe sipas analistëve, nga 10,7 miliardë dollarë që është tani do të arrijë 18,1 miliardë dollarë në 2033. Ka raportime se produktet po përdoren edhe te foshnjat dhe të vegjlit.

Dlova thotë se thuajse çdo ditë, në klinikën e saj vjen dikush që ka një problem lëkure të lidhur me këto produkte. Ajo thotë se s’është vetëm kanceri i lëkurës, por manifestohen me infeksione kërpudhore, puçrra, akne, rosacea dhe shenja.

Pacientja nga Togo kishte tre tumore të mëdhenj e të dhimbshëm në qafë që ishte përpjekur t’i trajtonte vetë me antibiotikë, antiseptikë dhe përzierje bimore, por pa sukses. Njëri nga tumoret u hoq, por të tjerët ishin shumë pranë enëve të gjakut dhe s’mund ta përballonte financiarisht kimioterapinë.

Ajo u tha mjekëve se kishte përdorur kremra që përmbanin hidrokinon topikal dhe kortikosteroide të fuqishme për 30 vjet. Në tetë raste të tjera në  Senegal, gratë kishin përdorur kremra të ngjashëm për 20 vjet. Dy prej tyre vdiqën.

Hidrokinoni është një zbardhues lëkure i  ndaluar në Afrikën e Jugut që në 1990-ën dhe më pas edhe në  Ruanda, Bregun e Fildishtë, Tanzani, Kenia dhe Gana. Ndalimi u nxit nga shqetësimet e forta për një formë të pashërueshme kanceri të quajtur okronozë. Por ligji është i dobët dhe produktet gjenden te shitësit e tezgave apo dyqanet kozmetike. 

Përdorimi i steroideve te zbardhuesit e lëkurës është më i ri. Steroidet topikale përdoren në dermatologji për të mjekuar sëmundjet e lëkurës si ekzema, por kanë aftësi ta zbardhin lëkurën dhe kjo shfrytëzohet në kozmetikë. Përdorimi i dy përbërësve problematikë së bashku është i rrezikshëm.

The International League of Dermatological Societies ka bërë thirrje për rreziqet e keqpërdorimit të steroideve topikale të fuqishme dhe kërkon që qeveritë të ndërhyjnë për të vendosur masa rregullatore ndaj këtyre produkteve. Problemi tejkalon Afrikën, pasi sinjalet e para kanë ardhur nga India.

Trajtimi i problemit nuk vjen vetëm përmes kësaj, por edhe një sërë faktorësh të tjerë. Marketingu, rrjetet sociale, media, moda, të famshmit, janë pjesë e  së tërës për të përçuar mesazhin e diversitetit.

Të Ngjashme