Ilary dhe Belen epoka e grave që rrobat e palara s’i mbajnë më në shtëpi por i nxjerrin në dritare t’i shohin të gjithë.
Është ndarë në dy kampe publiku italian: Një pjesë thonë që është e shëmtuar dhe jo etike të bësh show me jetën private sidomos kur bëhet fjalë për tradhëti dhe ndarje. Sepse ajo që nuk llogarisin është fakti që me këta burra të dyja kanë sjellë në jetë fëmijë.
E bëjnë për tu mbrojtur në sytë e fëmijëve dhe për të bërë një balancë me denigrimin që ndodh nga tradhëtia? E bëjnë për tu hakmarrë? Bëjnë viktimën që publiku të jetë në aleancë me to? Për vizibilitet? Apo për para?
Illary Blasi në dokumentarin ‘Unica’, i cili është ndër më të ndjekurit aktualisht në Netflix ka arkëtuar miliona dollarë. Belen që nga koha kur ishte në lidhje me mbretin e paparazëve dhe ‘Gossip’ Fabrizio Corona, mësoi se mirë apo keq e rëndësishme është të jesh në gojët dhe sytë e njerëzve. Këtë vëmendje, argjentinasja e ka komercalizuar duke siguruar një jetë super luksoze.
Nga ana tjetër ish-burrat “tradhëtarë” heshtin. Totti me partneren e re floristen Noemi Bochi (njohur në aktivitetet jashtëshkollore në shkollat e fëmijëve) në kopertinen e Chi, jep imazhin e një burri të lumtur në vigjilje Krishtlindjesh. Refuzon të komentojë documentarin që siç thotë s’e ka parë, por shprehet “Le të thotë ç’të dojë.”
Ndërsa Stefano De Martino që akuzohet për tradhëti me 12 zonjusha që Belen i kishte kontaktuar të gjitha, në studio me Fabio Fazio thotë: “Kam vendosur ta mbajë për vete të vërtetën. Për të mirën që ka ndodhur dhe për atë që ekziston ende, unë ende e dua shumë Belen. Dhe mbi të gjitha sepse Belén është nëna e djalit tim dhe kjo do të jetë gjithmonë gjëja më e rëndësishme.” Duke mos dhënë sqarime, por duke ruajtur figurën e ish-partneres ai kujdeset të paktën për dinjitetin e “ish-bashkëshortes”, por nënës së përhershme të fëmijës.
Belen e akuzon hapur që indiferenca dhe padija për tu sjellë si bashkëshort pas ballafaqimit me faktet e çoi në 48 kg dhe depresion të thellë. “Ai nuk diti të më japë dorë dhe të më nxjerrë nga errësira. Për mua dashuria dhe martesa janë diçka tjetër”.
Lind pyetja: Betejat e njerëzve publikë si Johny Deep e Amber Heard, a duhet të jenë një telenovelë si dhe vetë dashuria në kohët e arta? Apo duhet të mbeten një çështje private edhe kur personazhet janë publike?
Sidomos kur në mes ka fëmijë. Ngrihet pyetja kryesore: Si bisedojnë palët me femijët? Sa e dëmton jetën, të vetëndjerën e tyre kjo?
Dhe a është bukur që mes dy njerëzve që janë dashur e kanë sjellë në jetë fëmijët, një gjë kaq të madhe të përbashkët, të mbeten në web gjurmët e një historie digjitale që cënon dinjitetin e një familjeje, që dikur ishte megjithatë “një familje”?