Lajme

Ilir Peci thotë se ndërrimi pushtetit në Zveçan nuk është bërë zyrtarisht, të kundërtën e thotë Miloviç

Ish-kryetari i komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka deklaruar se procesi i pranim-dorëzimit të detyrës nuk është realizuar ende, pavarësisht pretendimeve të kryetarit të ri, Dragisha Milovic, se gjithçka është kryer me sukses dhe në mënyrë korrekte.

Në një prononcim për Tëvë1, Peci ka mohuar kategorikisht se ka pasur takim apo nënshkrim të dokumenteve zyrtare.

“Për momentin nuk më kanë njoftuar në takim për ta bërë pranim-dorëzimin, kështu që unë jam duke pritur. Jam i gatshëm në çdo moment me shku në takim dhe me bë pranim-dorëzimin në mënyrën zyrtare. Zyrtarisht nuk ka nënshkrime. Sot as nuk jemi takuar me kryetarin dhe nuk kemi pasur zyrtarisht nënshkrim të pranim-dorëzimit. Nënshkrimet i kam të përgatitura, do të thotë se zyrtarisht nuk ka asgjë”, tha ai.

Ndryshe, të premten në komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq, Graçanicë dhe Zubin Potok, u zhvilluan seanca inauguruese dhe u betuan kryetarët e rinj dhe asamblistët e këtyre komunave, duke shënuar nisjen e mandateve të reja pas zgjedhjeve lokale.

Ndërsa pranim-dorëzimi i kryetarit të ri të Zveçanit, Dragisha Milloviq nga Lista Serbe ishte paraparë të mbahej sot, pasi të premten ai refuzoi ta bëj një gjë të tillë.