Bota

Imran Khan dhe gruaja e tij dënohen me burg për martesë të jashtëligjshme

Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, dhe bashkëshortja e tij Bushra Khan, janë dënuar me nga shtatë vjet burgim secili të shtunën nga një gjykatë, për akuzat se kishin lidhur martesë në mënyrë të paligjshme.

Ky është dënimi i tretë me burg brenda pak ditëve për ish-liderin pakistanez.

Gjykata civile në Islamabad tha se Bushra nuk e kishte kryer kohën e pritjes së detyrueshme prej tre muajve nga shkurorëzimi prej burrit paraprak kur u martua me Khanin më 2018.

Khan, 71 vjeç, i cili shërbeu si kryeministër nga viti 2018 deri më 2022, është dënuar tashmë me 24 vjet burgim në përgjithësi dhe i është ndaluar ta mbajë poste publike për një dekadë.

TS Poll - Loading poll ...

Të dy Khanët u dënuan me 14 vjet burgim secili më 31 janar në një rast korrupsioni, një ditë pasi ai ishte dënuar me 10 vjet burgim për publikimin e sekreteve shtetërore në një rast tjetër, sipas partisë së tij, PTI.

Gjykata Antikorrupsion në Islamabad i shpalli ata fajtorë për shitjen e jashtëligjshme të dhuratave shtetërore në vlerë prej më shumë se 500.000 dollarë gjatë kohës sa ishte kryeministër nga viti 2018 derisa u rrëzua nga pushteti në prill 2022 përmes një vote të mosbesimit.

Gjykata ia ka ndaluar Khanit gjithashtu mbajtjen e posteve publike për 10 vjet, tha PTI. Bashkëshortja e tij Bushra u arrestua pak pasi gjykata e shpalli aktvendimin për ta.

Khan ndodhet në burg tashmë, pasi në gusht u dënua me tri vjet burgim nga një gjykatë tjetër për shitjen e dhuratave që i kishte marrë gjatë kohë si kryeministër.



/tiranapost