Bota

Incident në 36 mijë metra/ Avionit të United Airlines i thyhet xhami nga objekt misterioz, plagoset piloti

Një fluturim i United Airlines me destinacion Los Angeles është devijuar pasi një objekt i panjohur goditi xhamin e përparmë të avionit në një lartësi prej 36 mijë metrash, duke shkaktuar dëmtime dhe plagosjen e pilotit.

Sipas njoftimeve nga kompania ajrore dhe zyrtarët e Forcave Ajrore të SHBA-së, avioni Boeing 737 MAX 8, me 134 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit, ishte nisur nga Denveri drejt Los Angelesit, por u detyrua të ulej në Utah “për të adresuar dëmtimet në xhamin e kabinës”.

Piloti u plagos lehtë nga copëzat e xhamit dhe mori trajtim mjekësor pas uljes emergjente. Xhami i përparmë i dëmtuar është dërguar në laboratorin e Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit (NTSB) për analizë.

Kompania ajrore bëri të ditur se pasagjerët u transferuan në një tjetër avion për të vazhduar udhëtimin drejt Los Angelesit, ndërsa po punohet për rikthimin e avionit të dëmtuar në shërbim.

Incident në 36 mijë metra/ Avionit të United Airlines i thyhet

“Ky është një rast shumë i pazakontë, duke pasur parasysh dëmtimin në kabinë dhe lartësinë në të cilën ndodhi përplasja. Ende nuk dihet se çfarë e shkaktoi,” deklaroi analisti i aviacionit John Nance.
Xhamat e përparmë të avionëve janë projektuar me shtresa të shumëfishta për t’u bërë rezistentë ndaj goditjeve nga zogjtë, moti apo mbeturinat ajrore. Megjithatë, ekspertët theksojnë se është tepër e rrallë që një përplasje e tillë të ndodhë në një lartësi kaq të madhe.

“Avioni u përplas me një objekt dhe një nga dritaret e kabinës së pilotit u thye, ndaj duhej të bënim një ulje emergjente në Salt Lake City,” tregoi studentja Heather Ramsey, pasagjere në bord, duke cituar mesazhin e pilotit.
Në mbrëmjen e së hënës, kompania WindBorne Systems, e cila prodhon balona inteligjente për parashikimin e motit dhe analizën e të dhënave, publikoi një deklaratë ku tha se objekti që goditi xhamin e avionit mund të ketë qenë një nga pajisjet e tyre.

Kompania theksoi gjithashtu se po bashkëpunon me autoritetet për hetimin e incidentit.

/tiranapost

Të Ngjashme