Bota

Infektologët kërkojnë shpalljen e epidemisë së kollës së keqe në Shkup

Sipas të dhënave të Komisionit të publikuara të mërkurën, janë gjithsej 18 persona të prekur nga kolla e keqe dhe prej tyre, 14 raste janë regjistruar në Shkup.

Vendimi i Komisionit duhet të miratohet nga Qeveria teknike e Maqedonisë së Veriut dhe shihet si “masë për të parandaluar përhapjen e infeksionit”.

Kolla e keqe është paraqitur nga fundi i dhjetorit të vitit 2023 dhe në mesin e prekurve ishin dy foshnje në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Duke marrë parasysh shifrat e fundit, 18 raste të konfirmuara të kollës së madhe dhe duke pasur parasysh se ditëve të fundit ky numër është në rritje, veçanërisht në territorin e Shkupit, ku janë konfirmuar 14 raste, propozojmë që të rekomandohet shpallja e epidemisë në Shkup”, ka thënë të mërkurën, kryetari i Komisionit për sëmundje infektive, Aleksandar Petliçkovski.
Komisioni ka kërkuar nga kopshtet dhe shkollat të mos pranojnë fëmijë të pavaksinuar me vaksinën DTP.“Kjo tingëllon paksa e frikshme, por në realitet duhet të na lehtësojë përballimin e rrezikut që vjen me kollën e keqe. Në atë drejtim ne jemi duke u përgatitur, gjegjësisht presim që të nxjerrim një udhëzim të përgatitur për trajtimin e gjendjeve epidemike nga Instituti i Shëndetit Publik dhe aktivitetet kyçe kanë për synim përfundimin e vaksinimit”, ka thënë Petliçkovski.

Sipas tij, përhapja e kollës është pasojë e mosvaksinimit të popullatës.

Nga Komisionit për sëmundje infektive thonë se “vaksina DTP mbron nga bakteret që shkaktojnë tri sëmundje ku bën pjesë edhe ‘pertusis’ ose kolla e keqe”.

Sipas raportit vjetor të Institutit të Shëndetit Publik për vaksinimin e kryer në Maqedoninë e Veriut në vitin 2022, mbulimi me vaksinim primar me tri doza të vaksinës DTP është vetëm 83.9 për qind në nivel të shtetit.



/tiranapost