Lajme

​Inspektorati i Punës thotë se ka rënie të bilancit të vdekjeve në vendin e punës

Këtë vit ka një rënie të theksuar të vdekjeve në vendet e punës krahasuar me vitet e kaluara, ndërkohë që ndërtimtaria vazhdon të mbetet sektori më i rrezikshëm. Vetëm para disa ditësh, një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës Liman Musliu ka rënë nga një lartësi teksa po punonte në një objekt banesor.

Sipas Inspektoratit Qendror të Punës, gjatë vitit 2022 janë regjistruar 15 vdekje në vendin e punës, në vitin e kaluar ka rënie të numrit në 11, teksa gjatë periudhës janar-tetor 2024 kanë ndodhur pesë vdekje prej tyre vetëm dy në ndërtimtari.

Kryeinspektori i Inspektoratit Qendror të Punës, Hekuran Nikçi, ka thënë se këtë vit ka rënie të theksuar të vdekjeve në vendin e punës. Ai ka thënë se gjoba më e madhe për aksidentet në punë ka qenë 15 mijë euro, në rastin e vdekjes së një punëtori në fillim të muajit korrik në ndërtimtari.

Nikçi: Këtë vit ka një rënie të theksuar të vdekjeve në vendin e punës

“Për periudhën janar-tetor të këtij viti kemi 5 vdekje të shënuara, të punëtorëve në vendin e punës.. Në total për vitin e kaluar 2023, inspektorati qendror i punës ka evidentuar 11 vdekje në vendin e punës, këtë vit ka një rënie të theksuar të vdekjeve në vendin e punës… Nga pesë raste të vdekjeve në vendin e punës, për periudhën janar-tetor, vetëm dy raste janë të evidentuara në sektorin e ndërtimtarisë, kemi një rënie të dukshme të rasteve të vdekjeve në vendin e punës në sektorin e ndërtimtarisë…9:14 Gjoba më e madhe këtë vit për aksidentet në punë me fatalitet, me vdekjen e punëtorëve, ka qenë në rastin e vdekjes së punëtorit në fillim të korrikut, në sektorin e ndërtimtarisë, rënie nga lartësia ku gjoba ka qenë 15 mijë euro”, ka thënë Nikçi.

Institucioni i Avokatit të Popullit, në shkurt të këtij viti ka adresuar raportin për sigurinë dhe shëndetin në punë dhe funksionimin e mekanizmave që e rregullojnë këtë fushë.

Zëvendësavokatja e Popullit, Majlinda Sinani-Lulaj ka thënë se në raportin që kanë dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Financave dhe Inspektoratit të Punës, janë identifikuar edhe sektori i shëndetësisë dhe gazetarët si të rrezikuar. Ajo thotë se deri më tani vetëm MSH-ja ka kthyer përgjigje dhe pritet implementimi i rekomandimeve.

Sinani-Lulaj: Ende s’kemi marrë përgjigje për raportin nga MF e Inspektorati i Punës

“Natyrisht që ndërtimtaria ka mbetur në krye, që është edhe më e përhapur në vend për shkak të rasteve. Mbeten të ndjeshme dhe predispozuara në këtë temë, sektorë të prodhimit, xeheve, energjetikës, minierave. Përveç kësaj kemi identifikuar gjithashtu sektorin shëndetësor. Gazetarët, gjithashtu janë veçuar brenda raportit si një profesion që përballen, veçmas gazetarët e terrenit, foto dhe video-reporterët. Ne kemi adresuar rekomandimet tona tek autoritetet përkatëse, Ministria e Financës, Ministria e Shëndetësisë, Inspektorati i Punës…Nuk është se kemi marrë përgjigje nga Ministria e Financave dhe as nga Inspektorati i Punës”, ka thënë Sinani-Lulaj.

Ndërsa, kreu i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat Jusuf Azemi kërkon mbështetje sociale përmes një fondi që do të menaxhohej nga Qeveria e Kosovës.

Azemi: Qeveritarët e pronarët e kompanive të kryejnë punët e tyre

“Ka dekada që kërkojmë që për këtë lloj kategorie të punëtorëve që humbin jetën në vendin e tyre të punës, të kemi një mbështetje sociale ose financiare, që të jetë një fond, të cilët do ta menaxhonte Qeveria e Kosovës, por po shihet se jeta e këtyre punëtorëve dhe qeveritarët dhe pronarët e kompanive me rëndësi është që të kryejnë punët e tyre dhe aspak të mos merren me çështjen”, tha Azemi.

Pas rastit të ushtarit të FSK-së Liman Musliu, ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në një shkresë ndaj institucioneve përkatëse, duke kërkuar të angazhojnë kompani të specializuar, në mënyrë që të parandalohen rastet e ngjashme në të ardhmen.