Lajme

Inspektorati shton kontrollet për çmimet e naftës në tregun e Kosovës

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, që vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka njoftuar publikun se po vazhdon monitorimin e tregut të derivateve të naftës.

Në këtë kuadër, po kryhen kontrolle intensive për zbatimin e vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe vendosjen e masave të tjera mbrojtëse, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve, rritjen e transparencës, ruajtjen e konkurrencës së ndershme dhe parandalimin e çrregullimeve në treg.

Sipas njoftimit për media, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës, po analizon të dhënat që lidhen me çmimet e importit dhe çmimet që u ofrohen konsumatorëve në tregun vendor.

“Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga evidencat e Doganës së Kosovës, çmimi mesatar i importit për derivatet e naftës gjatë ditës së mërkurë – datë: 11.03.2026, ka qenë si në vijim: Naftë (Dizel): 1.40 €/litër; Benzinë: 1.22 €/litër. Ndërkohë, bazuar në monitorimin e realizuar në tregun vendor sot, çmimet e ekspozuara për konsumatorët në pikat e shitjes me pakicë rezultojnë si më poshtë: Naftë (Dizel): nga 1.44 €/litër deri në 1.54 €/litër; Benzinë: nga 1.18 €/litër deri në 1.31 €/litër”, thuhet në njoftim.

Po ashtu siç thuhet në raport bazuar në vendimin e datës 04.03.2026 për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimit të masave të tjera mbrojtëse, është vendosur marzha tregtare maksimale e lejuar si vijon: dy eurocentë për litër të produktit të shitur me shumicë, dhe 12 eurocentë për litër të produktit të shitur me pakicë.

“Marzhë tregtare domethënë ndryshimi mes çmimit të shitjes dhe çmimit të furnizimit. Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të vazhdojë të monitorojë dhe inspektoj në mënyrë intensive zhvillimet në tregun e derivateve të naftës së bashku me Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës si dhe Autoritetin e Konkurrencës së Kosovës dhe, në të gjitha rastet ku identifikohen parregullsi eventuale, mos respektim i vendimit të marzhës apo praktikave që mund të dëmtojnë konkurrencën dhe konsumatorët, do të ndërmerren masa rigoroze të parapara me legjislacionin në fuqi. Për çdo zhvillim të mëtejmë, publiku do të njoftohet me kohë”, thuhet në njoftim.

Të Ngjashme