Lajme

Inteligjenca amerikane: Rusia, Kina dhe Irani synojnë përçarjen e votuesve para zgjedhjeve

Zyrtarë të inteligjencës amerikane kanë paralajmëruar të martën se “aktorë të huaj” prej Rusisë, Kinës dhe Iranit, synojnë përhapjen e narrativave për t’i përçarë amerikanët para zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara.

Zyrtarët u kanë thënë gazetarëve se individë prej këtyre vendeve kanë marrë mësime nga proceset e kaluara zgjedhore në SHBA dhe janë më të përgatitur për të nxitur trazira.

Sipas tyre, ata mund të konsiderojnë mundësinë e kërcënimeve fizike dhe dhunës, si dhe ka mundësi që të kryejnë operacione dezinformimi, për të krijuar pasiguri dhe për të minuar procesin zgjedhor.

“Disa aktorë të huaj kanë kapacitet për të nxitur protesta dhe për të kryer aksione të dhunshme në periudhën pas zgjedhjeve. Irani dhe Rusia kanë gatishmëri që t’i shqyrtojnë këto taktika që mund të kontribuojnë në dhunë”, ka thënë një anëtar i Zyrës së Drejtorit për Inteligjencë Kombëtare, në kushte anonimiteti.

Sipas zyrtarëve amerikanë, ndonëse Rusia, Kina dhe Irani përbëjnë kërcënimin kryesor për aktivitete të tilla, nuk kanë parë ndonjë sinjal bashkëpunimi mes tyre, raporton rel.

Të tria shtetet kanë hedhur poshtë pretendimet se po synojnë të ndikojnë në zgjedhjet amerikane.