Një mjet i ri i inteligjencës artificiale po hap perspektiva të reja për trajtimin më të saktë të kancerit të prostatës, duke ndihmuar mjekët të përcaktojnë se cilët pacientë do të përfitonin më shumë nga përdorimi i ilaçit abiraterone. Ky zbulim, i prezantuar këtë javë në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane të Onkologjisë Klinike në Çikago, mund të ndryshojë ndjeshëm mënyrën se si trajtohet një nga format më të zakonshme të kancerit tek burrat.
Studiuesit britanikë që qëndrojnë pas këtij hulumtimi analizuan imazhet e mostrave të tumorit të më shumë se 1,000 pacientëve duke përdorur inteligjencën artificiale, me qëllim identifikimin e bioshënjuesve të cilët ndihmojnë në parashikimin e përgjigjes ndaj abirateronit. Ky ilaç bllokon prodhimin e testosteronit dhe ka treguar efektivitet në uljen e rrezikut të vdekjes, por mund të ketë efekte anësore serioze, ndaj përdorimi i tij kërkon kujdes të veçantë.
Rezultatet treguan se pacientët me tumore pozitive ndaj bioshënuesve përfituan dukshëm nga abirateroni, duke ulur rrezikun e vdekjes nga 17% në 9% brenda pesë viteve. Ndërkohë, për ata pa këta shënjues, trajtimi me këtë ilaç nuk solli përmirësim të ndjeshëm, duke sugjeruar se trajtimi standard mund të jetë më i përshtatshëm për ta.
“Ky hulumtim tregon se ne mund të zgjedhim njerëzit që do të reagojnë më mirë ndaj abirateronit dhe ata që do të kenë rezultate të mira vetëm nga trajtimi standard”, u shpreh Nick James, bashkëdrejtues i studimit dhe profesor në Institutin e Kërkimeve të Kancerit në Mbretërinë e Bashkuar.
Gert Attard, një tjetër bashkëdrejtues i studimit nga Kolegji Universitar i Londrës, shtoi se përdorimi i algoritmeve të IA mund të minimizojë trajtimin e tepërt dhe njëkohësisht të maksimizojë mundësinë e shërimit për pacientë specifikë.
Në Mbretërinë e Bashkuar, qasja në abiraterone nuk është e njëtrajtshme. Ndërsa në Skoci dhe Uells përdorimi i tij është i miratuar për kancerin e prostatës me rrezik të lartë që nuk është përhapur ende, në Angli ai është i disponueshëm vetëm për pacientët me kancer të avancuar. Studiuesit kërkuan nga NHS të rishikojë këtë qasje, duke theksuar se mbi 8,000 burra në vit mund të përfitonin nga trajtimi.
“Qasja në këtë ilaç që zgjat jetën është aktualisht një llotari me kod postar”, deklaroi James, duke bërë thirrje për barazi në trajtim për të gjithë pacientët.
Kanceri i prostatës prek mijëra burra çdo vit në mbarë botën. Vetëm në Bashkimin Evropian diagnostikohen rreth 336,000 raste të reja çdo vit, duke e bërë këtë zbulim një hap të rëndësishëm drejt një kujdesi më të personalizuar dhe efektiv.
