Interesi i madh i kosovarëve që jetojnë në diasporë, për të marrë pjesë në zgjedhje në Kosovë, pas secilit cikël zgjedhor është rritur dukshëm. E forma e preferuar e votimit nga diaspora, është vërejtur votimit përmes kutive postare jashtë Kosovës.
Ndërkohë, sfidë kryesore sipas organizatës Germin mbetet informimi i qytetarëve.
Në tryezën e organizuar nga Germin me temën “Votimi nga jashtë vendit, diaspora në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës”, drejtori Lirim Krasniqi tha se është rritur efekti elektoral i votave të diasporës.
Krasniqi: Interesi i diasporës për të marrë pjesë në zgjedhje pas secilit cikël zgjedhor është rritur
“Interesi i diasporës për të marrë pjesë në zgjedhje pas secilit cikël zgjedhor është rritur, me këtë është rritur edhe efekti elektoral të votave të diasporës…Mbi 64 përqind e personave që kanë votuar nga jashtë, kanë votuar përmes postës përmes kutive postare të cilat KQZ i ka hapur jashtë Kosovës dhe ky numër është rritur akoma më shumë në dhjetor të 2025, kjo është forma më e preferuar e votimit, më e lehta, efikase e e shpejta”, tha Krasniqi.
Sipas tij, një ndër sfidat kryesore mbetet informimi i qytetarëve jashtë vendit për formën e votimit dhe hapjen e qendrave të votimit e kutitë postare jashtë Kosovës.
Krasniqi: Ka pasur probleme me komunikim, paqartësi me kutitë postare jashtë Kosovës
“Është bërë temë pjesa e paqartësisë rreth kush vendos për hapjen e qendrave të votimit jashtë vendit. Ka pasur një kontekst mes KQZ dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme që u shndërrua në debat publik, kjo është një nga sfidat që e kemi shënu. Në shkurt ne kemi pasur ankesa nga disa organizata të diasporës të cilat janë ankuar që kriteret për hapjen e qendrave të votimit në misione diplomatike nuk kanë qenë transparente. Votimi me postë në shkurt ka pasur probleme me komunikim, paqartësi me kutitë postare jashtë Kosovës”, tha ai.
Krasniqi rekomandoi që të qartësohet vendndodhja e qendrave të votimit jashtë Kosovës.
Në këtë tryezë diskutimi, të ftuar nga organizata ishin edhe përfaqësues të subjekteve politike.
Përveç përfaqësuesit të Lëvizjes Vetëvendosje, asnjë parti tjetër politike nuk morri pjesë.
Përfaqësuesja e LVV-së, Liza Gashi kujtoi se si në vitin 2010 nga diaspora ishin 5 mijë vota, ndërkohë sot ky numër është rritur jashtëzakonisht shumë.
Sa i përket pjesës së informimit, Gashi tha se ka ende punë që të informohet sakt diaspora.
Gashi: Ende ka shumë të paqarta në këtë proces sidomos kur flasim për informimin
“Kosova ka modele të mjaftueshme të vendeve të ndryshme në botë, të cilat mundet vazhdimisht me i marrë si shembull të votimit jashtë vendit me sukses… Kujtoj kur në vitin 2010 kemi diskutuar për të drejtën e votës dhe kemi pasur diku 5 mijë votues nga jashtë. Në atë kohë kur votimi jashtë vendit nuk ka qenë shumë i etiketuar, por ka qenë më shumë nga shtetet fqinje si target. Ndërsa, sot kemi një bazë votuese e cila është jashtëzakonisht e lartë, mirëpo është shumë larg nga potenciali i votës së diasporës. Kemi ende shumë punë përpara sa i përket pjesës së informimit, por edhe njohjes së procesit. Çka dallon sot me vitin 2010 është se sot të gjitha partitë politike kanë filluar me trajtu tematikën e diasporës. Ende ka shumë të paqarta në këtë proces sidomos kur flasim për informimin”, tha ajo.
Deri më tani janë aprovuar gati 110 mijë kërkesa të diasporës për votim në zgjedhjet e 7 qershorit 2026. Ndërkohë në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit 2025, ishin regjistruar 77 mijë.
