Përfaqësues të platformës qytetare “Liria Ka Emër” kanë zhvilluar takim me Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, në kuadër të takimeve dhe aktiviteteve para Marshit për Liri, që do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë.
Gjatë takimit është diskutuar për organizimin e marshit, rëndësinë e tij dhe mesazhin e solidaritetit me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, si dhe me familjet e tyre, thuhet në komunikatën e “Liria ka emër”, transmeton KosovaPress.
Përfaqësuesit e “Liria Ka Emër”, Eliza Hoxha, Ismail Tasholli dhe Ridvan Emini, e kanë njoftuar Ipeshkvin Gjergji me mobilizimin qytetar dhe aktivitetet që po zhvillohen në mbarë Kosovën në prag të 12 shtatorit.
Imzot Dodë Gjergji ka shprehur mbështetjen e tij për Marshin për Liri, duke vlerësuar rëndësinë e unitetit, solidaritetit dhe qëndrimit të përbashkët në mbështetje të vlerave mbi të cilat është ndërtuar liria e Kosovës.
“Platforma qytetare “Liria Ka Emër” e falënderon Ipeshkvin Dodë Gjergji për pritjen, mbështetjen dhe solidarizimin me këtë nismë qytetare. Marshi për Liri do të mbahet më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Kosova po pret. Më 12 shtator, bashkë për lirinë”, thuhet në komunikatë.
