Ish-mbreti në ekzil i Spanjës, Juan Carlos I, ka zbuluar për herë të parë detaje tronditëse nga e kaluara e tij: ai ka vrarë aksidentalisht vëllain e vogël, Alfonsin, kur ishin adoleshentë. Rrëfimi ndodhet në kujtimet e tij të reja, një libër me 500 faqe të botuar në Francë, ku 87-vjeçari përpiqet të përballet me ngjarjet që e kanë ndjekur gjithë jetën.
Ngjarja ka ndodhur në vitin 1956, në shtëpinë e familjes mbretërore në Portugali. Sipas Juan Carlosit, ai dhe Alfonsi po “luanin” me një pistoletë, duke menduar se ishte e boshatisur. “E kishim hequr karikatorin, por nuk dinim që kishte mbetur një plumb në tytë. Një e shtënë u dëgjua papritur dhe plumbi goditi vëllain tim drejt në ballë. Ai vdiq në krahët e babait tonë,” shkruan ai në kapitullin “Tragjedia”.

Ish-mbreti tregon se për dekada ka shmangur ta përmendë këtë ngjarje. “Nuk më pëlqente të flisja për këtë. Kjo është hera e parë që e bëj,” shkruan ai, duke shtuar se “nuk do ta marrë veten kurrë plotësisht nga ajo ditë”.
Në atë kohë, Juan Carlos ishte 18 vjeç dhe Alfonsi vetëm 14. Nuk u hap asnjë hetim gjyqësor për rrethanat e aksidentit, dhe detajet mbetën të paqarta për dekada. Dëshmitarë të ndryshëm kanë dhënë versione të ndryshme – disa thonë se arma u shkrep aksidentalisht gjatë një përplasjeje, të tjerë se dera goditi krahun e tij, duke shkaktuar të shtënën fatale.
Në kujtimet e tij, ish-mbreti përpiqet gjithashtu të pajtohet me djalin e tij, Mbretin aktual Felipe VI, dhe të mbyllë plagët e së kaluarës. Ai jeton aktualisht në Dubai, pas viteve të fundit të mbushura me skandale dhe largim nga jeta publike.
/tiranapost
