Lajme

Ish-ministrit Ismajli dhe gjashtë të dyshuarve tjerë masa e paraburgimit iu zëvendësohet me arrest shtëpiak

Prishtinë- Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke ua zëvendësuar masën e paraburgimit me arrest shtëpiak shtatë të dyshuarve: ish-ministrit Fadil Ismajli, avokates Mirlinda Bllata-Dibrani, gjyqtarit Jovica Mitroviq, Bedri Dibranit, Shaban Tërbunjës, Naim Krasniqit dhe Goran Llaziq.

Ata dyshohen për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, marrjes dhe dhënies së ryshfetit, ushtrimit të ndikimit dhe deklarimeve të rreme.

Sipas vendimit, masa e paraburgimit të dyshuarve iu llogaritet nga 2 shkurti 2026 deri më 18 mars 2026.

Në vendimin e marrë më 2 shkurt 2026, thuhet se të pandehurit detyrohen të qëndrojnë në shtëpitë e tyre apo vendbanimin e tyre dhe nuk kanë të drejtë të largohen, përveç në rastet kur kjo është e nevojshme për përmbushjen e nevojave jetësore apo për shkaqe shëndetësore, dhe vetëm me leje paraprake të gjykatës- gjyqtarit të procedurës paraprake.

Po ashtu, të pandehurit njoftohen se në rast të mosrespektimit të masës së caktuar me këtë vendim, ndaj tyre do të caktohet paraburgimi.

Obligohet Policia e Kosovës- stacionet përkatëse policore që të mbikëqyrin zbatimin e kësaj mase dhe në rast të mosrespektimit ta njoftojnë gjykatën.

Sipas Apelit, lidhur me dyshimin e arsyeshëm, janë dhënë mjaftueshëm sqarime nga shkalla e parë.

Gjykata ka gjetur se përveç dyshimit të bazuar, te të akuzuarit ekziston rreziku që të ndikojnë në provat që ende nuk janë siguruar. Prandaj, Apeli është pajtuar edhe me këtë gjetje të shkallës së parë.

Ndërkaq, dy kushtet e tjera që shkalla e parë i ka konsideruar se plotësohen në rastin konkret- atë të rrezikut të ikjes dhe përsëritja e veprave, sipas Apelit, nuk qëndrojnë. Kjo për faktin se nuk ekziston asnjë dëshmi konkrete apo fakt që do të bënte të kuptohej se në rastin konkret plotësohe dy kushtet në fjalë për caktim të masës së paraburgimit.

Tutje, sipas vendimit të Apelit, adresat e vendbanimit të të pandehurve janë të ditura dhe se ata janë shtetas të Kosovës, si dhe Prokuroria nuk ka ofruar provë konkret që dëshmon rrezikun e ikjes. Ndërkaq, për dy të pandehurit me nacionalitet serb, sipas Apelit, ata jetojnë në Kosovë dhe kanë adresat e tyre të vendbanimit dhe vetëm fakti se janë edhe shtetas të Serbisë nuk e provon rrezikun e arratisjes.

Lidhur me kushtin tjetër- atë të përsëritjes së veprave penale, shkalla e dytë vlerëson se të dyshuarit nuk kanë të kaluar kriminale dhe se ata nuk njihen si përsëritës të veprave.

Prandaj sipas vendimit të Apelit, që është marrë nga gjykatësit Avni Mehmeti- kryetar i Kolegjit, Afërdita Bytyqi dhe Mentor Bajraktari- anëtarë, masa e arrestit shtëpiak është masa adekuate që duhet t’iu caktohet të dyshuarve.

Të Ngjashme