Lajme

“Ishin të tensionuar”, Ardita dhe Ilazi u panë në kafe, diskutuan me tone të larta

Ende nuk dihet motivi i krimit të ndodhur të dielën mbrëma në fshatin Majac të Podujevës, ku e dyshuara tashmë e ndjerë, Ardita Gashi, vrau me armë zjarri të dashurin e saj, Ilaz Brahimin, plagosi gruan e axhës dhe më pas qëlloi edhe veten.

Sipas burimeve të Klankosova.tv, rreth një orë para ngjarjes tragjike, Ardita dhe Ilazi janë parë në një kafene, ku kishin hyrë të tensionuar. Ata thuhet se kanë diskutuar me tone të larta dhe gjatë qëndrimit aty kanë konsumuar nga tre kafe secili.

Po ashtu, mësohet se në momentin e pagesës, të dy janë ngritur në këmbë, ndërsa Ardita kishte lënë çantën e dorës në karrigen pranë tavolinës. Menjëherë pas pagesës, ajo ishte kthyer për ta marrë çantën.

Pas daljes nga lokali, ata janë drejtuar drejt veturës së tipit Volkswagen (targat e së cilës i ka siguruar redaksia), me ngjyrë të bardhë. Fillimisht, Ardita ishte ulur në sediljen e përparme, por sipas burimeve, pas pak minutash ajo ka kaluar në pjesën e pasme të veturës.

Si pasojë e kësaj ngjarjeje të rëndë, humbën jetën tre persona. Fillimisht, 45-vjeçari ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa më pas 31-vjeçarja dhe e moshuara 73-vjeçare ndërruan jetë disa orë më vonë në QKUK, si pasojë e plagëve të rënda në kokë.

Klankosova.tv ka siguruar edhe informacione të tjera lidhur me këtë rast, por nuk do t’i publikojë për momentin, për shkak të rrjedhës së hetimeve dhe ndjeshmërisë së ngjarjes.

Të Ngjashme